Raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë pa kandidatë

Në seancën e shkurtër parlamentare, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha se raundi i parë konsiderohet i ezauruar dhe Konferenca e Kryetarëve do të caktojë datën për votimin e dytë

Kuvendi i Shqipërisë ka ezauruar raundin e parë të procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit pa asnjë kandidaturë zyrtare, duke filluar zyrtarisht edhe procesin e raundeve të zgjedhjes së presidentit të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në seancën e shkurtër parlamentare, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha se raundi i parë konsiderohet i ezauruar dhe Konferenca e Kryetarëve që vendos për programin e punës dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit do të caktojë datën për votimin e dytë.

Klotilda Bushka, kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë fjalës në seancë tha se komisioni që ajo drejton shqyrtoi në një mbledhje të posaçme sot çështjen sa i takon raundit të parë për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Shqipërisë.

“Komisioni konstatoi se deri në afatin e caktuar (15 maj) asnjë kandidaturë nuk është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë. Në këto kushte komisioni i paraqet seancës plenare për informim këtë raport me qëllim përmbylljen e procedurave për votimin e raundit të parë për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë pa kandidatë”, u shpreh Bushka.

Në një deklaratë për mediat pas seancës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke iu referuar procesit të zgjedhjes së presidentit të vendit, tha se është një proces që mund të ishte më i harmonizuar, sipas tij, në aspektin e një ballafaqimi dhe shkëmbimi të ideve.

“Dihet që ne nuk i kemi 84 votat e nevojshme për të kaluar raundin e parë, të dytë dhe të tretë. Ndërkohë që nuk më rezulton që ka ndonjë qartësi, ndonjë ide, vullnet nga ana e palëve tjera për t’u përfshirë në këtë proces deri tani”, u shpreh Rama.

Procesi në Kuvend i zgjedhjes së presidentit të Shqipërisë

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh.

Për zgjedhjen e presidentit të vendit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime (raunde). Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave (84 vota) të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë.

Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave.

Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet dhe zhvillohen zgjedhjet e reja të përgjithshme, brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.

Presidenti aktual Ilir Meta është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë më 28 prill 2017 në postin e presidentit të vendit për një mandat pesëvjeçar, ndërkohë mandati i tij sipas Kushtetutës përfundon në korrik të vitit 2022.

Kategoritë
LajmeRajoni