Reagime të shumta pas vrasjes dhe bastisjes së funeralit të gazetares palestineze, Shirin Abu Akile

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dënoi vrasjen e gazetares palestineze të televizionit ”Al Jazeera”, Shirin Abu Akile, dhe bëri thirrje për një hetim të menjëhershëm gjithëpërfshirës, ​​transparent, të drejtë dhe të paanshëm.

Në një deklaratë, OKB-ja shprehu ngushëllimet e saj për familjen dhe të afërmit e Abu Akile, e cila u qëllua për vdekje nga ushtarët izraelitë.

Duke dënuar vrasjen e Abu Akile-s dhe plagosjen e një gazetari tjetër palestinez, OKB-ja bëri thirrje për një hetim të menjëhershëm gjithëpërfshirës, ​​transparent, të drejtë dhe të paanshëm për vrasjen e gazetares.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka reaguar ndaj ndërhyrjes së policisë izraelite në funeralin e Akile.

Farhan Haq, një nga zëdhënësit e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, deklaroi se Guterres ishte jashtëzakonisht i shqetësuar nga ndërhyrja e forcave izraelite ndaj palestinezëve gjatë funeralit dhe bëri thirrje për respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe lirinë e shprehjes dhe tubimit.

Në deklaratën e bërë nga zyra e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, thuhet se BE-ja ishte “e tmerruar” nga imazhet që u shfaqën gjatë funeralit të Akile të mbajtur në Jerusalemin Lindor të pushtuar.

“BE-ja dënon përdorimin joproporcional të forcës dhe trajtimin mosrespektues nga policia izraelite ndaj atyre që marrin pjesë në funeral. Lejimi i dhënies së lamtumirës dhe mbajtjes së zisë paqësore pa ngacmime dhe poshtërime është minimumi i respektit njerëzor”, shkruhet në deklaratë.

Gjithashtu u përsërit thirrja e BE-së për një hetim të pavarur dhe gjithëpërfshirës për vrasjen e Akile.

  • Kurse në deklaratën e bërë nga Përfaqësuesi i BE-së për Palestinën, thuhej se ata ishin “të tmerruar nga përdorimi i panevojshëm i forcës nga policia izraelite” në funeralin e Akile dhe tha: “Sjellje e tillë joproporcionale vetëm se nxit më shumë tensione”.

Ndërkohë që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden tha se vrasja e gazetares palestineze Akile duhet të hetohej, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se ata ishin thellësisht të shqetësuar nga hyrja e paautorizuar e policisë izraelite në funeralin e Akile.

“Çdo familje meriton të jetë në gjendje t’i varrosë të dashurit e saj me dinjitet dhe pa pengesa. Ne vazhdojmë të jemi në kontakt të ngushtë me bashkëbiseduesit tanë izraelitë dhe palestinezë dhe u bëjmë thirrje palëve të përmbahen nga veprimet që do të rrisin më tej tensionet”, tha Blinken.

  • Edhe zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki i përshkroi gjithashtu imazhet e policisë izraelite që ndërhynte në funeralin e Akile si “shqetësuese”.

Policia izraelite nuk lejoi që trupi i Shirin Abu Akile, gazetares palestineze të televizionit “Al Jazeera”, e cila u vra nga ushtarët izraelitë në bastisjen në Xhenin në Bregun Perëndimor të pushtuar, të mbahej mbi supe dhe ndërhyri në funeral me shkopinj, plumba kauçuku dhe bomba zhurmuese.

Reagimet erdhën pasi nga dhuna e ushtruar nga policia izraelite ishte shkaktuar rreziku i rënies së arkivolit në të cilin ishte trupi i pajetë i Abu Akile.

  • Edhe Drejtori i Komunikimeve të Presidencës, Fahrettin Altun, bëri thirrje që vrasja e gazetares së televizionit “Al Jazeera”, Shireen Abu Akleh, të hetohet në mënyrë tërësore, transparente e të shpejtë dhe që përgjegjësit të vihen përpara drejtësisë.

Fahrettin Altun dënoi vrasjen e gazetares palestineze, Shireen Abu Akleh, si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtarët izraelitë teksa ajo po mbulonte bastisjen e kampit të refugjatëve në Jenin, qytet në Bregun Perëndimor të pushtuar, nga forcat izraelite.

“Jam thellësisht i pikëlluar për vrasjen e gazetares Akleh. Ngushëllime familjes dhe kolegëve të saj. Vënia në shënjestër e gazetarëve, të cilët i shërbejnë popullit dhe të vërtetës, nuk mund të pranohet në asnjë rrethanë. Unë bëj thirrje që kjo ngjarje të hetohet në mënyrë gjithëpërfshirëse, transparente e të shpejtë dhe që përgjegjësit të vihen përpara drejtësisë”, deklaroi Altun në lidhje me incidentin në fjalë.

Kategoritë
BotaLajme