Rënia e rasteve me COVID-19, Ramadani: Situata me pandeminë po shkon drejt stabilitetit

Javëve të fundit situata epidemiologjike në Kosovë, ka shënuar rënie, gjë kjo e cila po konsiderohet pozitive. Zvogëlimi i rasteve të infektimeve të reja me COVID-19 por edhe i të vdekurve, ka bërë që në vendin tonë Qeveria e Kosovës të merr vendim për lehtësim të masave antiCOVID-19.

Infektologu Hamdi Ramadani në një prononcim për Telegrafin ka thënë se situata me pandeminë në vendin tonë është duke shkuar drejt një stabiliteti.

“Për fat të mirë këto ditët e fundit në Kosovë, bazuar në të dhënat nga IKSHPK, situata me pandeminë është në një rënie të theksuar, me një rënie të rasteve të infeksioneve dhe rasteve me 0 vdekje, që është një gjë shumë pozitive. Numri i shifrave të infektimeve sic e quajmë ne në mjekësi me numrin një shifror, kjo tregon se gjendja e pandemisë në vendin tonë është duke shkuar në drejtim të një stabiliteti”, ka thënë Ramadani.

Ramadani ka përmendur dy faktorë që sipas tij kanë ndikuar në këtë stabilitet të gjendjes me pandeminë.

“E para: të gjitha ato masa që janë ndërmarr nga fillimi i këtij viti dhe vitit të kaluar, siç janë maska e cila duhet të përdoret edhe sot, pastaj mbajtja e distancës dhe higjiena, kanë qenë këto masa që kanë bërë që pandemia të ketë një rënie të kënaqshme në vendin tonë.

Faktori i dytë që ka ndikuar në uljen e rasteve të pandemisë, është se unë mendoj që një numër i konsiderueshëm i qytetarëve ka rënë në kontakt me virusin COVID-19 qoftë në mënyrë direkt ose indirekte. Shifrat nga IKSHPK-ja japin këto të dhëna, janë afro 600 mijë raste të dyshimta me COVID që unë mendoj se janë po ashtu pozitive sepse nuk janë bërë testimet e dyta”, u shpreh Ramadani.

Kategoritë
LajmeVendi