Reshitaj: Është fat në fatkeqësi që aksidenti ka ndodhur në Kroaci e jo në Kosovë, do të kishim dyfish më shumë viktima

Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, njëherësh edhe anëtare e Komisionit Parlamentar për Infrastrukturë ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të reflektojë e të veproj, pasi që sipas saj Kosova nuk ka funksionalizim të mirëfilltë të sistemit të reagimit emergjent.

E ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin ajo ka thënë se ka qenë fat në fatkeqësi që tragjedia ka ndodhur në Kroaci e jo në Kosovë, pasi që sipas saj do të kishte dyfish më shumë viktima.

“Ka qenë një fat në fatkeqësi që kjo s’ka ndodhur në Kosovë sepse do të kishim dyfish humbje jete si rezultat i mosaftësisë për të reaguar me kohë. Kjo duhet të trokas në ndërgjegjen e çdo përfaqësuesi të popullit që të veprohet menjëherë. Është nevojë imediate që Ministria e Shëndetësisë të reflektojë dhe të veprojë”, ka thënë ajo.

Reshitaj është shprehur që në Kosovë punëtorët shëndetësorë nuk janë të përgatitur për të reaguar në raste të tilla.

Sipas saj, mungon shkollimi i tyre, mungojnë autoambulancat, ekipet mobile e aparaturat për të reaguar me kohë në raste të tilla siç ka bërë shteti kroat.

“Ne nuk kemi funksionalizim të mirëfilltë të sistemit të reagimit emergjent. Mungon shkollimi i personelit. Në situata emergjente ka rëndësi profesionalizimi i personelit shëndetësorë e të arrihet të veprohet në kohë të duhur siç ndodhi në Kroaci. Pastaj mungojnë autoambulancat, ekipet mobile të destinuara për raste specifike, mungojnë aparaturat e nevojshme që duhen që nga momenti kur jemi në kontakt me pacientët e deri te arritja në një qendër të afërt. Ne pak kemi investuar në përgatitje edhe të stafit të mesëm edhe atij më të avancuar”, ka shtuar ajo.

Kategoritë
LajmeVendi