“Respekt për Zvicrën”, Mancini: Italia ime e shkëlqyer dhe plot titullarë

Italia është e mbushur me entuziazëm të madh, kjo si pasojë e fitores 3-0 ndaj Turqisë në ndeshjen e parë të Euro 2020. Kombëtarja e kaltër, që është pjesë e grupit A, do të zbresë sërish në fushën nesër në mbrëmje (21:00).

Përballë Zvicra e Petkovic dhe shqiptarëve Shaqiri dhe Xhaka. “E njohim mirë Zvicrën, janë një ekip i fortë plot lojtarë teknikë. Nuk duhet të bëjmë asnjë gabim në këtë ndeshje”, shprehet Roberto Mancini.

Trajneri i Italisë vijon analizën për duelin ndaj kombëtares helvete në konferencën për shtypin. Respekt për kundërshtarët, por djemtë e tij janë të karikuar në maksimum dhe do të tentojnë tre pikët e radhës në Euro 2020.

Është një ndeshje e rëndësishme, njësoj siç ishte ajo ndaj Turqisë. Kemi respekt të madh për Zvicrën. Ata janë gjithmonë në mesin e dhjetë skuadrave më të mira në renditjen evropiane dhe kanë një trajner që e njeh shumë mirë futbollin italian.

Këto janë shkaqet pse kemi respekt të madh për ta, ne duhet të zhvillojmë një ndeshje të madhe. Sigurisht që mund ta ndryshojmë sistemin tonë të lojës, por djemtë e kanë të qartë se çfarë duhet të bëjnë kur të zbresin në fushë, kështu që nuk do të kishte ndryshim të madh.

Formacioni? Në ekipin tonë janë të gjithë titullarë, gjërat na shkojnë mirë edhe kur bëjmë ndryshime. E gjitha kjo meritë e djemve.

Gjithsesi, në fund vetëm 11 lojtarë zbresin në fushë dhe nuk ka rëndësi të madhe se kush luan. Të gjithë do e zhvillojnë ndeshjen e tyre dhe do e bëjnë bukur”, deklaron Mancini, i cili e mbyll fjalën e tij me objektivin Wembley dhe kalimin e Donnarumma te PSG.

“Përpara se të mbërrijmë në ‘Wembley’ më 11 korrik (finalja e madhe), duhet të sigurojmë kualifikimin në çerekfinale (Italia luan në mitikun anglez nëse del e para në grupin A). Unë jam gjithmonë i mbushur me besim.

Jemi një skuadër e shkëlqyer, por mund të përmirësohemi edhe më shumë. Të shohim se çfarë do të ndodhë. Donnarumma? Sinqerisht që nuk di asgjë për momentin, as nuk ia kam idenë se çfarë mund të ndodhë në ditët e ardhshme.

Gigio është një djalë shumë i mirë dhe do zgjedhë me qetësi ekipin e ardhshëm. Nëse do të shkonte në Paris, do e cilësoja si një zgjedhje fantastike, pasi PSG është një skuadër e madhe“, përfundoi Roberto Mancini.

Kategoritë
Sport