Rezultat zgjedhor i ngushtë ashtu siç parashikohej, megjithatë shenjat janë për ndryshim pushteti në Gjermani

Rezultat zgjedhor i ngushtë ashtu siç parashikohej, megjithatë SPD sipas llogaritjeve të para (19:59) kryeson lehtë. Shenjat janë për ndryshim pushteti në Gjermani, por gjithçka tani varet nga Të Gjelbrit dhe liberalët.

CDU si e paralizuar. Entuziazëm tek qendra e Partisë Socialdemokrate, SPD. Këto zgjedhje në Gjermani po japin shenjat e ndryshimit të pushtetit. CDU-ja pësoi humbje të ndjeshme, dhe shënoi rezultatin më të dobët të të gjitha kohërave në federatë.

Sipas llogaritjeve të para – aktualizim i orës 19:59 – Infratest dimap/ARD – CDU/CSU arrin në 24,5%, rreth 8,2 pikë më pak se në vitin 2017, kurse SPD-ja 25,5%, rreth 4,4% pikë më shumë. Të Gjelbrit renditen të tretët me 13,8% para FDP-së me 11,7%, partia populiste e djathtë, AfD arrin 10.9%. Të Majtët pësuan humbje të ndjeshme dhe arritën vetëm kufirin 5%.

Me këtë rezultat (paraprak) rritet pesha e Të Gjelbërve dhe liberalëve, roli i tyre është përcaktues në një koalicion të ri. Por vetëm muajt e ardhshëm do të tregojnë, se cilat parti do të krijojnë qeverinë e re në Gjermani. Në vitin 2017 kjo fazë zgjati gati një gjysmë viti.

Fillon pokeri politik

Pak minuta pas mbylljes së qendrave të votimit filloi pokeri politik.

Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Paul Ziemiak, dukshëm i tronditur pas prognozave të para, foli disa herë për “humbje të hidhura”, që duhen analizuar.

Në të njëjtën kohë ai u shpreh për një “koalicion të së ardhmes me Unionin, FDP-në dhe Të Gjelbrit”.

Ky koalicion thirret koalicioni Xhamajka në Gjermani, duke iu referuar flamurit të shtetit të Karaibeve.

“Duhet të bëjmë atë që është e mirë për vendin tonë”, tha Ziemiak.

Mes selisë së CDU-së, Konrad Adenauar Haus dhe selisë së SPD-së, Willy-Brandt-Haus ka një distancë prej 3,5 kilometrash, por e diela zgjedhore e zmadhoi shumë këtë distancë.

Ai është “shumë krenar” për partinë e tij, tha ministri aktual i Punës, Hubertus Heil në një vlerësim të parë.

Kategoritë
BotaLajme