Rivali i Macronit për president e nis fushatën me video kundër myslimanëve duke u falur

Komentuesi i së djathtës ekstreme, Eric Zemmour, të martën e publikoi kandidaturën e tij për president të Francës. Në videon e njoftimit ai paraqiti burra myslimanë duke u falur dhe u bëri thirrje përkrahësve të tij që t’ua marrin Francën “pakicave që e shtypin shumicën”.

Ish-gazetari i dënuar për nxitje të urrejtjes është bërë njëri nga kandidatët kryesorë për ta sfiduar politikanen Marine Le Pen, kryetare e partisë së të djathtës ekstreme, “Rassemblent National”, për ta siguruar garën në rundin e dytë kundër presidentit të tanishëm, Emmanuel Macron.

“Për një kohë të gjatë kam qenë i lumtur me rolin e gazetarit, por nuk besoj më që një politikan do ta ketë guximin për ta shpëtuar vendin nga fati tragjik që e pret, prandaj kam vendosur që të garoj në zgjedhjet presidenciale”, tha Zemmour në një video të publikuar në rrjete sociale.

Kritikat e tij të ashpra ndaj Islamit dhe migracionit i kanë siguruar përkrahje edhe nga baza e votuesve të Le Penit, edhe nga e djathta tradicionale konservatore, shkruan Reuters.

Në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, Zemmour publikoi një video ku, mes tjerash, shihen disa myslimanë duke u falur në rrugë.

“Ndiheni sikur nuk jeni më në shtetin që dikur e njihnit. Jeni të huaj në vendin tuaj”, u drejtohet Zemmour përkrahësve në video.

Kategoritë
BotaLajme