Ronaldo: Nuk më shqetësojnë kritikat, kam luajtur futboll për 18 vite

Cristiano Ronaldo ka shpërfillur kritikët që e kanë cilësuar Manchester Unitedin si ekip të “dobët” javët e fundit, duke thënë pas fitores 3-0 kundër Tottenhamit të shtunën se ai kurrë nuk u interesua për perceptimin publik të ekipit.

Goli dhe asistimi i tij kundër Spurs ndihmuan në lehtësimin e presionit mbi skuadrën e Ole Gunnar Solskjaer pas humbjes 5-0 të fundjavës së kaluar ndaj Liverpoolit në Old Trafford.

Megjithatë, Djajtë e Kuq mbeten në një territor të pakëndshëm në Ligën Premier me ambiciet e tyre për titullin një ëndërr të largët për shkak të një muaji përgjithësisht zhgënjyes.

“Kritikat janë gjithmonë aty. Për mua, nuk më shqetëson sepse kam luajtur 18 vite futboll, kështu që e di që një ditë njerëzit do të thonë ne jemi perfekt dhe një ditë do të thonë ne jemi katrahurë”, ka thënë fillimisht Ronaldo për faqen zyrtare të klubit.

“Unë e di këtë dhe ne duhet të merremi me këtë, por është gjithmonë më mirë kur njerëzit të lavdërojnë dhe ata janë të kënaqur me ty”.

“Ndonjëherë jeta është e tillë, ndonjëherë duhet të kalojmë momente të këqija dhe duhet të ndryshojmë dhe ndryshuam sot (e shtunë)”.
“Ekipi ishte pak nën presion, pak i trishtuar, por ne e dinim që mund të jepnim një përgjigje të mirë. Ne luajtëm mirë, e filluam lojën shumë mirë”.

“Sigurisht që detyra ime është të ndihmoj ekipin me përvojën time, golat e mi, asistimet e mia dhe këtë e bëra sot dhe ndihem shumë i kënaqur me këtë. Por sa i përket ekipit, për mendimin tim ishte një paraqitje e pabesueshme”, përfundoi ylli portugez.

Kategoritë
Sport