Rrëfimi nga familja e vajzës së vrarë: Janë martu para dy muajsh, kemi pyet për djalin e s’na kanë thënë fjalë të mira

M.O, 18-vjeçare, është privuar nga jeta ditën e djeshme në Ferizaj. Ajo është dërguar pa shenja jete në spital nga Dardan Krivaqa, 29-vjeç, me të cilin, sipas familjarëve, viktima ishte martuar rreth dy muaj më parë dhe nga Arbër Sejdiu, 32-vjeç, i cili tashmë ndodhet në pranga. Të dy, menjëherë kanë ikur nga spitali. 

Emri i Dardan Krivaqes ishte i njohur për qytetarët në Ferizaj, edhe para se ai të kërkohej si i dyshuar për keqtrajtimin deri në vrasje të partneres së tij. Për Krivaqen, thanë se prej vitesh ka qenë problematik dhe i dyshuar për kryerje të veprave penale. Megjithatë, familja e M.O., ia kishte dhënë “bekimin” martesës së tyre, pasi, sipas dajës së vajzës, nëna e Dardanit u kishte thënë se çifti kanë dashuri mes vete dhe nuk do të kenë probleme.

Daja i të ndjerës, tha për Gazetën Express se vajza nuk është ankuar se ka pasur probleme me partnerin e saj.

“Unë jam daja i M. Dje e kemi marrë vesh dikur rreth orës 22:00, nuk kemi ditë diçka që ka ndodh. Por në bazë të informatave, e kemi marrë vesh që është mbesa jonë. Kemi ardhë këtu, kemi bisedu me familjen. Kjo është e vërtetë, ajo është martu që 2 ose 3 muaj…Vajza nuk ka tregu kurgjë që ka raporte të këqia, por në bazë të rrethanave, si dajë, kemi pyet kush është filani (burri i saj). Nuk kanë folë fjalë të mira, që është njeri i sjellshëm ose djalë i mirë, por e paska pas fatin…U njoftu me të, u martu, kur ka ardhë në shtëpi, se kam qëllu unë këtu një herë ose dy, më kanë thënë dajë mirë jemi duke kalu. Diçka që me thanë që s’po shkon mirë, s’na ka tregu”, tha ai për Gazetën Express.

Kategoritë
LajmeVendi