Rreth 2 mijë e 500 persona me aftësi të kufizuara votojnë nesër, KQZ ka angazhuar 80 ekipe mobile

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se nesër janë rreth 2 mijë e 450 persona me nevoja të veçanta, që pritet të votojnë, e për të cilët janë angazhuar 80 ekipe mobile.

KQZ ka nisur shpërndarjen e materialit kryesor për raundin e dytë zgjedhor. Mes tyre edhe fletëvotimet për zgjedhjet që do të mbahen nesër. Nga zyrat qendrore të QNR’së, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, materialet do të dërgohen në depot e komisionerëve në 21 komuna.

Valmir Elezi nga KQZ ka thënë se janë rreth 2 mijë e 450 persona me nevoja të veçanta, që pritet të votojnë nesër, e për të cilët janë angazhuar 80 ekipe mobile.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do të angazhojë 80 ekipe mobile, numri i qytetarëve të regjistruar si votues me nevoja të veçanta është rreth 2 mijë e 450, prej të cilëve rreth 1 mijë e 550 janë votues të cilët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për shkak të paaftësisë fizike apo shëndetësore, ndërsa 899 janë votues të cilët janë në hospitalizim në shtëpitë e caktuara për të moshuar, të burgosurit dhe të paraburgosurit”.

“Po ashtu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mundësojë votimin e qytetarëve të cilët fatkeqësisht janë të infektuar me COVID-19 dhe që për shkak që masave nuk mund të dalin nëpër vendvotime për të votuar. Fatmirësisht numri i rasteve aktive me COVID-19 është i ulët dhe rrjedhimisht edhe numri i votuesve nga kjo kategori.”, shton Elezi.

Raundi i dytë i zgjedhjeve komunale do të mbahen nesër më 14 nëntor në 21 komuna të Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi