“Rrezikonim luftë për një ndeshje futbolli”, Rama e Vuçiç kujtojnë takimin e parë: Shiheshim si armiq

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, teksa fliste në takimin e Forumit Ekonomik mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, është kthyer pas në kohë, kur zhvilloi takimin e parë me kryeministrin Edi Rama.

Vuçiç tha se në atë kohë shiheshin si dy armiq dhe sulmonin njëri tjetrin vetëm që të fitonin pikë politike të brendshme, por sipas Vuiçiç, tashmë gjerat kanë ndryshuar.

Ai shprehet se është një mbështetës i zjarrtë i “Shengenit Rajonal”, pasi sipas tij me hapjen e kufijve, qytetarët do të ndihen më të sigurt në vendet që udhëtojnë.

“Më kujtohet takimi i parë me Edi, në vitin 2015. Dy armiq që vijnë tek njëri tjetri. Duke gjetur justifikime të mjaftueshme për të ofenduar palën tjetër. Duke mos kërkuar bashkëpunim real dhe duke bërë gjëra që na jepnin pikë politike brenda por vetëm kaq. Por sot nuk duam t’ja dimë më për këtë. Duam t’ja dimë vetëm për të ardhmen e përbashkët. Duam t’ja dimë për rezultatet e mundshme  të kësaj të ardhme kaq. Mendoi vërtetë që duhet të japë llogari për një vend në rajon që nuk ka dashur të bashkohet me ne? Jo!. Nuk është e dhimbshme për ne që të themi të vërtetën. Nëse doni në rregull por edhe nëse nuk doni është zgjedhja juaj. Është shumë e thjeshtë. Kjo është e rëndësishme se këto kufij të hapur janë se njerëzit do jenë të mirëpritur. Në Ohër, Durrës, Shkodër, Sarandë, Beogradi, Nishi apo kudo. Njerëzit do e ndjejnë. Serbët sot që janë në Shqipëri ndihen më mirë dhe më të sigurt. Është e njëjta gjë për shqiptarët dhe maqedonasit që janë në vendet tona. Këto janë mesazhet që duhet të çojmë. Jam mbështetës i zjarrtë i kësaj. Do ndryshohet peisazhi ekonomik dhe shoqëror.” tha Vuçiç.

Ndërkohë Rama ka qenë i të njëjtit mendim si Vuçiç, duke thënë se ishin gati të hynin në luftë për një ndeshje futbolli, por sipas tij sot gjërat janë ndryshe. Rama ka thënë se ende nuk pajtohen me Vuçiç për çështjen e Kosovës, por kjo nuk mund të bëhet pengesë për të rritur ekonominë.

“Ishte një kohë që mund të hynim në luftë për një ndeshje futbolli dhe sigurisht që ishte një takim shumë i vështirë nuk nënkupton se ramë dakord për Kosovën, apo të biem sot, por si mund të jetë kjo pengesë për të formuar ekonomitë tona”

Kategoritë
LajmeRajoni