Rrëzohet një avion në Shkodër, piloti dhe pasagjeri braktisin mjetin

Një avion i vogël, tip Piper, është rrëzuar në zonën e Vermoshit, në Malësinë e Madhe, qarku Shkodrës.

Avioni Piper i rrëzuar këtë të hënë në Vermosh nuk është kontrolluar ende nga efektivët e Policisë, pasi pritet mbërritja e specialistëve.

Kështu tha kryeplaku i fshatit Vermosh, Prek Vata, në një lidhje telefonike me A2 CNN.

Vata shpjegoi se avioni është ulur në zonë rreth orës 08:30-09:00.

“Pas rreth 30 minutash është ngritur sërish dhe përsëri ka pësuar defekt dhe ka rënë në një parcelë aty pranë. Më pas, ka ardhur një makinë e i ka marrë. Duket se kanë njoftuar ndonjë person të njohur të vetin, dhe i ka marrë”, tha Vata.

Ai tregoi se brenda në avion nuk është gjetur asgjë. “Avioni është i dëmtuar, por brenda tij nuk ka pasur gjë brenda. Kur njerëzit kanë tentuar t’u japin ndihmë u kanë thënë “mos u afroni”. Nuk kanë pranuar të marrin ndihmë”.

I pyetur nëse avionë të tillë fluturojnë shpesh në zonë, dhe nëse, në dijeninë e tij, aty kultivohet kanabis, Vata tha: “Avionë nuk shohim shpesh, vetëm njerëz me parashutë, apo deltaplanë. Ka vite që nuk merret njeri me kanabis në zonë, sepse nuk ka më njerëz, vetëm disa të moshuar kanë mbetur aty”.

Kategoritë
LajmeRajoni