“Rrëzohet një dron i mbushur me bomba që synonte Arabinë Saudite”

Në një deklaratë nga forcat e koalicionit thuhet se droni i mbushur me bomba u neutralizua nga sistemet e mbrojtjes ajrore në rajonin Khamis Mushayt, në jugperëndim të Arabisë Saudite

Forcat e koalicionit arab të udhëhequr nga Arabia Saudite që mbështesin qeverinë jemenase njoftuan se kanë rrëzuar një mjet ajror pa pilot i ngarkuar me eksploziv, i lëshuar nga rebelët Houthi të mbështetur nga Irani.

Në një deklaratë nga forcat e koalicionit për agjencinë zyrtare saudite të lajmeve SPA, thuhet se droni i mbushur me bomba u neutralizua nga sistemet e mbrojtjes ajrore në rajonin Khamis Mushayt, në jugperëndim të Arabisë Saudite.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se rebelët Houthi vazhdojnë të synojnë zonat civile në qytet dhe se forcat e koalicionit kanë marrë masat e nevojshme kundër tyre.

Në Jemen, ku paqëndrueshmëria politike ka mbizotëruar për një kohë të gjatë, po ndodhin përplasje midis Houthive dhe forcave të lidhura me qeverinë.

Rebelët Houthi që nga shtatori 2014 kanë nën kontroll kryeqytetin Sana dhe disa rajone të tjera, ndërsa forcat e koalicionit të udhëhequra nga Arabia Saudite që nga marsi 2015 kanë mbështetur qeverinë e Jemenit kundër Houthive.

Houthitë e mbështetur nga Irani synojnë shpesh rajonet jugore të Arabisë Saudite me raketa balistike dhe me dronë.

Kategoritë
BotaLajme