Rritja e temperaturës globale me 2 gradë mund të prekë 1 miliard njerëz

Sipas hulumtimit të publikuar në COP26, e cila vazhdon në Glasgou, theksohet se nëse temperaturat globale rriten, parashikohet të ketë përmbytje të lumenjve, rrezik nga zjarri në pyje, thatësirë dhe pasiguri ushqimore

Sipas një studimi në Mbretërinë e Bashkuar, 1 miliard njerëz mund të përballen me stres ekstrem vdekjeprurës të nxehtësisë nëse rritja e temperaturës globale arrin në 2 centigradë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në studimin e publikuar nga Shërbimi Meteorologjik Britanik (Met Office), u paralajmërua se nëse rritja e temperaturës në mbarë botën arrin 2 centigradë, numri i njerëzve në zonat e prekura nga stresi ekstrem i nxehtësisë, që është kombinimi vdekjeprurës i nxehtësisë dhe lagështisë, mund të rritet me rreth 15 herë.

Në analizë u deklarua se numri i njerëzve që jetojnë në zonat e prekura nga stresi ekstrem i nxehtësisë mund të rritet nga 68 milionë në afërsisht 1 miliard dhe thuhet se një rritje prej 4 gradësh Celsius mund të prekë pothuajse gjysmën e popullsisë së botës.

Sipas hulumtimit të publikuar në Konferencën e 26-të të OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike, e cila vazhdon në Glasgou, theksohet se nëse temperaturat globale rriten, parashikohet të ketë përmbytje të lumenjve, rrezik nga zjarri në pyje, thatësirë dhe pasiguri ushqimore.

“Nevojiten reduktime të shpejta të emetimeve”

Një nga studiuesit, Dr. Andy Wiltshire, duke nënvizuar se ndryshimet e rënda klimatike do të prekin shumë rajone, deklaroi se Brazili dhe Etiopia do të jenë ndër vendet më të prekura.

“Secili nga ndikimet klimatike ofron një vizion të zymtë të së ardhmes. Reduktimet e shpejta të emetimeve janë të nevojshme nëse duam të shmangim pasojat më të këqija të ndryshimit të klimës”, tha Wiltshire.

Drejtor i Qendrës Met Office në Hadley, profesor Albert Klein Tank, tha se të gjitha pjesët e botës, përfshirë Britaninë dhe Evropën, pritet të vazhdojnë të preken nga ndryshimet klimatike.

“Sa më i lartë niveli i ngrohjes, aq më të rënda dhe më të përhapura janë rreziqet për jetën e njerëzve”, tha Richard Betts, i cili ka udhëhequr një pjesë të hulumtimit.

“Nuk është bërë përparim i mjaftueshëm në COP26”

Me përfundimin e javës së parë të COP26, e cila filloi më 31 tetor, Komisioni i Transformimit të Energjisë ka shpallur kërkimin e tij mbi ndikimin e angazhimeve të marra në javën e parë në reduktimin e emetimeve.

Sipas hulumtimit, deklaratat e kontributeve kombëtare të dorëzuara nga vendet deri më sot janë të pamjaftueshme për të kufizuar rritjen e temperaturës globale në 1,5 gradë.

Ed Miliband, një ish-udhëheqës i Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar, gjithashtu tha se është bërë njëfarë përparimi në COP26, por se “nuk është ende i mjaftueshëm”.

Kategoritë
BotaLajmeTë ndryshme