Rritje enorme e çmimit të biletave në rajonin e Dukagjinit, nga nesër edhe në krejt Kosovën

Në vazhdën e ngritjes së çmimeve në nivel vendi, edhe kompanitë e ndryshme të autobusëve kanë ndërmarrë hapa të tillë, duke i ngritur çmimet në mënyrë enorme, shkruan Gazeta Metro

Një rritje e çmimeve së fundmi është evidentuar në linjën Gjakovë-Deçan-Pejë, ku tani çmimi i biletës në një drejtim ka shkuar në tri euro.

Njoftimi për ngritje të çmimeve të udhëtimit në këto qytete është bërë në rrjetin social Facebook, nga Shoqata e Transportuesve Gjakovë-Deçan-Pejë.

Metro për këtë rast ka kontaktuar kryetarin e Shoqatës së Transportuesve të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, i cili tha se nuk është në dijeni, por se kjo është çështje individuale e kompanive.

“Nuk jam në dijeni për një rast të tillë, fundja kjo është çështje individuale e kompanive”, tha Kurtishaj.

Kreu i kësaj shoqate konfirmoj për redaksinë tonë se nesër do të mbahet mbledhja e organizatës, “ku si temë qendrore në  diskutim do të jetë edhe ngritja e çmimeve nga të gjithë operatorët e transportit në Kosovë,” tha ai.

Ndërsa autoriteti i cili mbikëqyr rritjen e çmimeve në Kosovë, ”Autoriteti Kosovar i Konkurencës”, është ende pa bord funksional, pasi që institucionet qendrore të vendit me të cilat gati një vit udhëheq Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk e kanë funksionalizuar bordin e këtij institucioni.

Kategoritë
LajmeVendi