“Rruga e Arbërit çeli sot shtegun e vjetër në një dimension të ri infrastrukturor”

Në ceremoninë e hapjes në Qarkun e Dibrës ishte i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku dhe zyrtarë vendorë

Është hapur sot për qarkullimin e automjeteve një nga segmentet e Rrugës së Arbërit, rrugë e që është ende në ndërtim e sipër, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hapjes në Qarkun e Dibrës ishin të pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku dhe zyrtarë vendorë.

Sipas njoftimit nga Kryeministria e Shqipërisë, Rruga e Arbërit “çeli sot shtegun e vjetër në një dimension të ri infrastrukturor dhe bashkëkohor”.

Më tej theksohet se ajo është gati të ofrojë provizorisht një udhëtim dinjitoz, përgjatë 48 kilometrave të realizuara plotësisht dhe të dorëzuara, ndërkohë që mbeten edhe pak kilometra nga përfundimi i plotë i saj.

“Prej 1 shekulli e ëndërruar nga shqiptarët, rruga shkurton ndjeshëm distancën mes Dibrës dhe kryeqytetit. Ndërkohë që lehtëson transportin e qytetarëve dhe krijon më shumë aksesueshmëri për daljen në treg të produkteve të zonës. Por jo vetëm. Rruga është spektakolare për faktin se kalon përmes një natyre të mrekullueshme, që deri më sot ishte tërësisht e padukshme për shkak të izolimit”, thuhet në njoftim.

Në prani të kryeministrit Rama, në mënyrë simbolike, në tunelin numër 2 u realizua edhe heqja e pengesës që shënon hapjen provizore të Rrugës së Arbërit.

Ndërkohë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, informoi se po bëhet gjithçka që rruga të realizohet brenda afateve të përcaktuara.

“Kjo është një rrugë që zgjat 69 kilometra nga Tirana në Maqellarë, por në kontratën e koncesionit janë 54 kilometra, nga të cilat 48 ne i dorëzojmë sot, në përdorim. Qafën e Murrizit e kemi zgjidhur përmes një bypass-i i cili është i gjatë 8,8 kilometra. Kontrata ka afat dorëzimi fundin e prillit 2022 dhe do të bëjmë të pamundurën për të dorëzuar gjithçka në kohën e duhur”, u shpreh Balluku, sipas njoftimit.

Ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me Maqedoninë e Veriut dhe pas përfundimit të saj do të shërbejë si rrugë lidhëse ndërkombëtare.

Kategoritë
LajmeRajoni