Ruçi: Kuvendi ka kontribuar që Shqipëria të avancojë në agjendën e saj integruese euroatlantike

Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi seancën e fundit plenare të Legjislaturës së Nëntë

Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi sot seancën e fundit plenare të Legjislaturës së Nëntë, raporton Anadolu Agency (AA)

Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi tha se kjo ishte legjislatura e 100-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, e cila u festua siç i takonte, duke nderuar të gjithë kontribuuesit e themelimit të parlamentarizmit në Shqipëri.

“Kjo legjislaturë ishte një kantier i madh dhe produktiv i procesit të ligjbërjes, zbatimit të reformës në drejtësi, e vendimit të Këshillit Evropian të çeljes së negociatave të pranimit me Shqipërinë, e kryerjes së reformës zgjedhore dhe avancimit të reformave të rëndësishme”, tha Ruçi.

Sipas tij, gjatë kësaj legjislature, kuvendi u hap më shumë drejt shoqërisë civile, medias, komuniteteve akademike, grupeve të interesit dhe qytetarëve.

“Gjatë kësaj legjislature miratuam 487 ligje, prej të cilave 424 propozime të qeverisë, 59 të deputetëve, 3 propozime të përbashkëta të qeverisë dhe deputetëve dhe 1 propozim i një deputeti dhe 20 mijë zgjedhësve. 317 ligje u miratuan me shumicë të thjeshtë, 141 me shumicë absolute, 28 miratuara me shumicë 3/5 dhe 1 ligj me shumice prej 2/3. Sipas procedurës se shqyrtimit paraqiten: 461 të shqyrtuara me procedurë të zakonshme dhe 26 ligje të shqyrtuara me procedurë te përshpejtuar”, u shpreh Ruçi.

Për sa i përket produktivitetit, por edhe cilësisë së ligjeve të miratuara, kryeparlamentari Ruçi theksoi se legjislatura që po mbyllet ishte shumë efektive.

Kuvendi miratoi për herë të parë Planin e Zhvillimit Strategjik, i cili përcakton prioritetet e zhvillimit për periudhën 2020-2025.

Plani është një udhërrëfyes që ndërthur vizionin, misionin, vlerat themelore, fushat prioritare, qëllimet strategjike sipas fushave prioritare, objektivat strategjikë dhe masat konkrete për zhvillimin e Kuvendit në kushtet e një mjedisi dinamik, që ndryshon vazhdimisht.

Gjatë legjislaturës 2017-2021 Kuvendi i Shqipërisë përfundoi miratimin e paketës së dytë të ligjeve të reformës në sistemin e drejtësisë, duke përmbyllur në këtë mënyrë një nga reformat më të rëndësishme të ndërmarra nga kuvendi gjatë historisë së tij tridhjetëvjeçare.

Paketa përfshin ndryshimet në ligjin për Pushtetin Gjyqësor, ligjin për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ligjin për Prokurorinë e Përgjithshme, ligjin për SPAK, Kodin Penal, ligjin për Policinë Gjyqësore si dhe ndryshimet në ligjet procedurale Kodin e Procedurës Civile, Kodin e Procedurës Penale dhe ligjin për Gjykatat Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, deklaroi Ruçi.

Në përfundim të fjalës së tij, kryetari Ruçi deklaroi se gjatë kësaj legjislature, Kuvendi i Shqipërisë ka krenari legjitime se ka kontribuar që Shqipëria të avancojë në agjendën e saj integruese euroatlantike. Vonesat në mbajtjen e Tryezës së Parë Ndërqeveritare tashmë nuk varen nga performanca integruese, por nga zhvillimet dhe situate e re ne vendet anëtare të BE-së.

Gjatë seancës së sotme, Kuvendi i Shqipërisë votoi me 83 vota pro zgjedhjen e Armela Krasniqit në krye të Autoritetit të Mediave Audiovizive të Shqipërisë.

Kategoritë
LajmeRajoni