Rusia bën ndryshimin e papritur në strategjinë e luftës në Ukrainë

Rusia ka lënë të kuptohet se ka ndryshuar strategjinë e luftës në Ukrainë duke dhënë indikacione se do të tërhiqet nga pjesa tjetër e vendit për t’u fokusuar në lindje ku edhe janë interesat e saj kryesore, ndërkohë që ka dështuar tërësisht në marrjen e Kievit.

Ushtria ruse po has vështirësi të mëdha edhe në rajonin veri-lindor të Ukrainës ku nuk ka marrë asnjë qytet të rëndësishëm, ndërkohë që në jug është pushtuar vetëm Khersoni, kurse Mariupoli nuk ka rënë ende, derisa Odessa duket një “kala” që nuk mund të merret.

“Objektivat kryesore të fazës së parë të operacionit rus në Ukrainë kanë përfunduar”, deklaroi  kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Ruse, Serghei Rudskoy gjatë mesditës së sotme.

“Objektivat kryesore të fazës së parë të operacionit kanë përfunduar. Potenciali luftarak i forcave të armatosura të Ukrainës është ulur ndjeshëm, gjë që na lejon të përqendrojmë përpjekjet tona në arritjen e objektivit kryesor: çlirimin e Donbasit,” përfundoi Rudskoy gjatë një konference të premten.

Ai tha se separatistët e mbështetur nga Rusia tani kontrollojnë 93 për qind të rajonit Luhansk të Ukrainës dhe 54 për qind të rajonit të Donetskut, dy zonat që përbëjnë Donbasin.

Kremlini e përditësoi numrin e tij të vdekjeve për ushtarët rusë në 1,351, shumë më poshtë vlerësimit të Ukrainës për 15,000 viktima ruse dhe shifrën amerikane prej rreth 7,000.

Deklarata nga Moska erdhi disa orë pasi zyrtarët ukrainas thanë se besonin se rreth 300 njerëz vdiqën në bombardimet ruse të një teatri në Mariupol ku strehoheshin deri në një mijë civilë.

Kategoritë
BotaLajme