Rusia: Biden nuk mund të na akuzojë për gjenocid, duart e SHBA-së nuk janë të pastra

“Ne i konsiderojmë të papranueshme përpjekjet për një çoroditje të tillë të situatës”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Peskov

Rusia e konsideron akuzën e presidentit amerikan Joe Biden për gjenocid “të papranueshme”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne i konsiderojmë të papranueshme përpjekjet për një çoroditje të tillë të situatës”, tha Peskov në konferencën e përditshme në Moskë, duke shtuar se Biden nuk është në pozicionin të thotë gjëra të tilla, pasi duart e SHBA-së nuk janë të pastra, as në të kaluarën, as kohët e fundit.

Ai më pas vuri në dukje se Rusia aktualisht nuk ka kontakte me administratën amerikane.

Të martën, presidenti amerikan Biden, për ndikimin ekonomik të luftës në familjet amerikane, u shpreh: “Buxheti juaj familjar, aftësia juaj për të mbushur rezervuarin tuaj (me karburant), asnjëra prej tyre nuk duhet të varet nga fakti nëse një diktator shpall luftë dhe kryen gjenocid gjysmë bote larg”.

I pyetur për rrjedhën e bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë, Peskov tha se nuk ka asgjë për të raportuar tani, por se negociatori i Moskës Vladimir Medinsky “vazhdon të punojë shumë”.

Në lidhje me arrestimin në Ukrainë të ligjvënësit ukrainas të opozitës Viktor Medvedchuk, Peskov tha se ai po persekutohet për motive politike dhe se Rusia do të ndjekë nga afër rastin e tij.

Të martën, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy njoftoi arrestimin e Medvedchuk-ut dhe propozoi një shkëmbim me Rusinë të ushtarëve ukrainas të kapur.

Në lidhje me propozimin e shkëmbimit, Peskov theksoi se Medvedchuk është një politikan dhe qytetar ukrainas dhe askush nuk e di nëse ai dëshiron të shkojë në Rusi.

Peskov tha se Medvedchuk mund të ishte larguar nga Ukraina shumë herë që kur filloi “operacioni special ushtarak” i Rusisë më 24 shkurt, por nuk e bëri këtë.

Medvedchuk akuzohet për tradhti dhe promovim të terrorizmit, ndër vepra të tjera.

Të paktën 1.892 civilë janë vrarë dhe 2.558 janë plagosur në Ukrainë që kur Rusia filloi luftën kundër fqinjit të saj perëndimor më 24 shkurt, sipas vlerësimeve të OKB-së, kurse shifrat e vërteta besohet të jenë shumë më të larta.

Më shumë se 4,24 milionë ukrainas kanë ikur në vende të tjera, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.

Kategoritë
BotaLajme