Rusia dëbon diplomatët holandezë dhe belgë në shenjë hakmarrjeje

Ministria e Jashtme ruse akuzon Holandën për abuzim me të drejtat dhe privilegjet e saj si shtet pritës i marrëveshjes së armëve kimike

Duke vazhduar pasojat diplomatike nga lufta në Ukrainë, Rusia sot shpalli persona non grata 15 diplomatë holandezë dhe një numër të paspecifikuar diplomatësh belgë, duke i dëbuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë në faqen e saj të internetit, Ministria e Jashtme tha se 14 punonjës të ambasadës holandeze në Moskë dhe një punonjës i konsullatës holandeze në Shën Petersburg duhet të largohen nga Rusia brenda dy ditësh.

Ky hap u ndërmor si përgjigje ndaj dëbimit më 29 mars të 18 punonjësve të Ambasadës së Rusisë në Hagë, Misionit Tregtar Rus në Amsterdam dhe misionit të Rusisë në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), tha ministria.

Ministria tha gjithashtu se Holanda nuk mund të abuzojë me të drejtat dhe privilegjet e saj si shtet pritës i OPCW-së dhe se Haga duhet të respektojë rreptësisht Marrëveshjen e Selisë së OPCW-së të vitit 1997.

Në një deklaratë të veçantë, ministria tha se ka thirrur ambasadorin belg Marc Michielsen dhe e informoi atë për dëbimin e diplomatëve belgë nga Moska, të cilët duhet të largohen deri në fund të 3 majit.

Holanda dhe Belgjika dëbuan diplomatë rus bazuar nën dyshimet për spiunim, pasi marrëdhëniet midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian u përkeqësuan më tej për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt.

Lufta ka shkaktuar mijëra vdekje, zhvendosjen e miliona njerëzve dhe një gamë të gjerë sanksionesh ndaj Rusisë, veçanërisht nga BE-ja dhe SHBA-ja.​​​​​​​

Kategoritë
BotaLajme