Rusia godet rezervuarët e karburantit në provincat Mikolaiv, Rivne dhe Ternopol të Ukrainës

Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, njoftoi se kanë goditur rezervuarët e karburantit me raketa me precizion të lartë në provincat Mikolaiv, Rivne dhe Ternopol të Ukrainës.

Igor Konashenkov dha informacione në lidhje me veprimet e njësive ushtarake ruse në luftën që vazhdon prej 24 shkurtit (2022) në Ukrainë, gjatë një konference shtypi në Moskë.

Ai bëri me dije se sulmet e ushtrisë ruse ndaj objekteve të infrastrukturës ushtarake të Ukrainës vazhdojnë.

“Rezervuarët e karburantit në Konstantinovka të provincës Mikolaiv, Slavute të provincës Rivne dhe në Ternopol u goditën me raketa me precizion të lartë nga ajri. Nga këta rezervuarë u dërgohej karburant njësive ushtarake ukrainase në drejtim të Mikolaivit dhe Donjeckut”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

“Kurse në sulmet ndaj Bazës Ajrore Balovnoe dhe pranë qytetit Mikolaiv, u goditën parku i mjeteve ajrore dhe rezervuarët e karburantit të tyre”, shtoi Konashenkov duke theksuar se qendra e paralajmërimit dhe kontrollit të mbrojtjes ajrore të Forcave Ajrore të Ukrainës u çaktivizua përmes sulmit në Bazën Ajrore Vasilkiv, në provincën e Kievit.

Sipas tij, Forcat Ajrore të Rusisë kanë shkatërruar 42 objekte ushtarake brenda një dite.

“Deri më sot janë asgjësuar 386 mjete ajrore pa pilotë, 224 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore, 1.918 tanke dhe mjete të blinduara, 209 raketahedhës shumëgrykësh, 814 obusë e mortaja, si dhe 1.789 mjete ushtarake speciale të ushtrisë ukrainase”, tha zëdhënësi Konashenkov mes të tjerash.

Kategoritë
BotaLajme