Rusia i bën presion Izraelit të mos ngutet me Kosovën

Rusia ka bërë presione diplomatike në adresë të Izraelit duke i kërkuar që të ngadalësojë njohjen mes shtetit hebre dhe Kosovës.

Këtë për Klan Kosovën e ka konfirmuar një zyrtar izraelit, përderisa nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë thanë se ata nuk e konsiderojnë Kosovën shtet, prandaj edhe njohja e saj me Izraelin nuk mund të ndodhë.

“Në përputhje me ligjin ndërkombëtar, para së gjithash Rezolutën Themelore të Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244, Kosova nuk është një shtet sovran, prandaj çështja në thelb është e pakuptimtë. Dialogu ruso-izraelit është shumë i pasur dhe ka një agjendë të gjerë që mbulon çështje kyçe të temave bilaterale dhe ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së nga Moska.

Kosova dhe Izraeli që nuk e kanë bërë ende me dokument njohjen e ndërsjellë për një gjë të tillë u morën vesh më 4 shtator 2020.

Atë ditë në Shtëpinë e Bardhë, me ndërmjetësimin e presidentit amerikan Donald Trump, kryeministri Avdullah Hoti dhe homologu i tij izraelit Benjamin Netanyahu përmes telefonit u dakorduan për njohje dhe bartjen e Ambasadës Kosovare në Jerusalem, derisa shumica e vendeve e kanë në Tel-Aviv.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme të shtetit hebre tash e sa javë kanë thënë se do të përgjigjen se kur do të organizojnë ceremoninë e nënshkrimit të njohjes me Kosovën që do të ndodhë në vendin e tyre. Por, një sqarim zyrtar akoma nuk ka ardhur.

Kurse nga MPJ-ja në Prishtinë kanë thënë se janë gati për ngjarjen në fjalë, por se së pari vendi mikpritës duhet të tejkalojë situatën me COVID-19 për shkak të të cilit Izraeli është në kufizime të forta.

Kategoritë
LajmeVendi