Rusia i kundërpërgjigjet Maqedonisë së Veriut, dëbon një diplomat nga Moska

“Masa është një përgjigje ndaj një vendimi krejtësisht të pabazuar për të shpallur një diplomat në Ambasadën Ruse në Shkup person të padëshiruar të bërë nga Maqedonia e Veriut në gusht të këtij viti”, thuhet nga MPJ e Rusisë.

Rusia i është përgjigjur Maqedonisë së Veriut duke dëbuar një diplomat nga Moska, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë përmes një njoftimi ka bërë të ditur se Ushtruesja e detyrës Ambasadore e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Federatën Ruse, Olivera Çaushevska-Dimovska, u thirr në MPJ-në ruse, ku iu dorëzua një shënim nga Ministria, duke deklaruar një punonjës të Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Moskë si “person të padëshiruar”.

“Masa është një përgjigje ndaj një vendimi krejtësisht të pabazuar për të shpallur një diplomat në Ambasadën Ruse në Shkup person të padëshiruar të bërë nga Maqedonia e Veriut në gusht të këtij viti”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.

Kujtojmë se ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, më 17 gusht konfirmoi se Maqedonia e Veriut ka dëbuar një diplomat rus nga vendi, gjë që ndodhte për herë të dytë brenda vitit.

“Ministria e Punëve të Jashtme, sa herë që merr informacion të konfirmuar dhe të dokumentuar në lidhje me sjelljen e diplomatëve të huaj të akredituar, që është në kundërshtim me parimet e Konventës së Vjenës, merr masat për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare, por edhe sigurinë e aleatëve në aleancën të cilës i përkasim. Kështu që informacioni është i saktë”, tha atëherë Osmani.

Kujtojmë se ky ishte rasti i dytë sivjet që një diplomat rus të dëbohet nga Maqedonia e Veriut.

Më 18 maj të këtij viti, Maqedonia e Veriut e shpalli një diplomat rus “person të padëshirueshëm” në vend në përputhje me nenin 9 të Konventës së Vjenës për marrëdhëniet diplomatike.

Atëherë, Rusia u përgjigj dhe më 10 qershor të këtij viti njoftoi se një diplomat i punësuar në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Moskë ishte shpallur “person i padëshirueshëm”.

Kategoritë
BotaLajme