Rusia ndalon transmetuesin publik kanadez CBC

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme tha se masa e marrë është në përgjigje të ndalimit të kanalit shtetëror rus RT në Kanada

Rusia ka mbyllur zyrën në Moskë të transmetuesit publik kanadez CBC, duke hequr akreditimin e të gjithë korrespondentëve të tij në shenjë kundërpërgjigjeje ndaj ndalimit të kanalit shtetëror rus RT në Kanada, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne kemi paralajmëruar vazhdimisht për këtë. Kemi thënë se masat kufizuese të njëanshme që shkelin parimet e lirisë së fjalës dhe pengojnë punën normale të mediave ruse nuk do të mbeten pa përgjigje”, u tha gazetarëve sot në Moskë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova.

Zakharova shtoi se “duhet të jetë e qartë për të gjithë” se reagimi i Rusisë është “i pashmangshëm” dhe do të zbatohet në çdo rast të ngjashëm.

“Në këtë drejtim, u vendos që të futen masa hakmarrëse në lidhje me veprimet e Kanadasë, përkatësisht mbyllja e zyrës në Moskë të Korporatës Shtetërore Kanadeze të Transmetimeve CBC, duke përfshirë anulimin e akreditimeve dhe vizave ruse të gazetarëve të saj”, tha ajo.

Ajo shtoi se vendimi është marrë në përgjigje të vendimit të autoriteteve kanadeze për ndalimin e transmetimit të kanaleve RT dhe RT France.

Më 18 mars, Komisioni Kanadez i Radios dhe Televizionit njoftoi ndalimin e transmetimeve të kanaleve televizive ruse RT në anglisht dhe frëngjisht në vend, ndërsa transmetuesit kanadezë nuk lejohen më të shpërndajnë sinjalet e tyre në Kanada.

Komisioni tha në një deklaratë se beson se transmetimi i mëtejshëm në Kanada nga kanalet “nuk përmbush interesin publik”.

Në prag dhe që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës më 24 shkurt, një mori vendesh e kanë ndaluar RT-në, duke cituar sanksionet dhe duke e quajtur kanalin burim propagande dhe dezinformimi.

Kategoritë
BotaLajme