Rusia pohon të ketë shkatërruar një numër të madh të armëve perëndimore në Ukrainë

Zëdhënësi ushtarak Konashenkov tha se sistemi rus i raketave taktike Iskander shkatërroi një numër të konsiderueshëm armësh të ofruara nga SHBA-ja dhe vendet perëndimore në Kharkiv.

Rusia ka shënjestruar një numër të madh armësh, automjetesh ushtarako-teknike, si dhe personel ushtarak ukrainas në dy stacione të veçanta treni në qytetin Kharkiv, në verilindje të Ukrainës, tha të shtunën zëdhënësi ushtarak i vendit Igor Konashenkov, transmeton Anadolu Agency (AA).

Konashenkov tha se sistemi rus i raketave taktike Iskander shkatërroi një numër të konsiderueshëm armësh të ofruara nga SHBA-ja dhe vendet perëndimore në afërsi të stacioneve të trenit Karlovka dhe Krasnograd, si dhe personelin e brigadës së 58-të të motorizuar të këmbësorisë.

Për më tepër, zëdhënësi tha se njësitë luftarake ajrore ruse, gjatë operacioneve rreth Ishullit të Gjarpërinjve në Detin e Zi, goditën një avion bombardues Su-24, një avion luftarak Su-27, së bashku me tre helikopterë Mi-8 me personel në bord, krahas shkatërrimit të dronëve dhe një varke sulmuese.

Sipas Konashenkovit, Rusia deri më tani ka shkatërruar 154 avionë, 764 mjete ajrore pa pilot (UAV), 296 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore, 2.902 tanke luftarake dhe automjete të blinduara, 333 raketahedhës me shumë tyta, 1.378 obusë dhe mortaja dhe 2.728 automjete private ushtarake.

Kategoritë
BotaLajme