Rusia: Rrëzuam edhe 3 avionë luftarakë të tjerë të Ukrainës

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë bëri me dije se 14 dronë u rrëzuan dhe pajisje të tjera e objektiva strategjike u shkatërruan në operacionet e kryera në Ukrainë gjatë natës.

Rusia deklaroi të enjten se ka rrëzuar 3 avionë luftarakë të tjerë të Ukrainës në operacionet gjatë natës.

“Një «Su-24», një «Su-25» dhe një «Su-27» u rrëzuan nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore në tri zona të ndryshme të Ukrainës”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov, në një konferencë shtypi në Moskë.

Ai vuri në pah se u shkatërruan gjithashtu 14 mjete të tjera ajrore pa pilotë dhe 2 raketahedhës shumëgrykësh “Smerch”.

“Raketat me precizion të lartë u përdorën për të goditur pajisjet e aviacionit në aeroportin ushtarak “Kanatovo” të Ukrainës, një depo të madhe municionesh dhe një depo karburanti”, shtoi Igor Konashenkov.

Sipas tij, forcat ruse goditën 93 zona ku ishin të pranishëm ushtarë dhe pajisje ushtarake ukrainase, si dhe poste të shumta komanduese e objektiva të tjera strategjike.

“Njësitë e artilerisë goditën 32 pika kontrolli, pesë depo municionesh, 403 pika të forta, zona të përqendrimit të fuqisë punëtore dhe pajisjeve ushtarake, si dhe 51 pozicione të artilerisë ukrainase. Më shumë se 600 nacionalistë dhe 61 njësi armësh dhe pajisjesh ushtarake u shkatërruan”, theksoi zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

“Që nga fillimi i operacionit special ushtarak janë shkatërruar në total 151 avionë, 112 helikopterë, 742 mjete ajrore pa pilotë, 290 sisteme raketore kundërajrore, 2.854 tanke dhe mjete të tjera luftarake të blinduara, 329 raketahedhës shumëgrykësh, 1.338 obusë dhe mortaja, si dhe 2.683 automjete speciale ushtarake që i përkisnin ushtrisë ukrainase”, përfundoi Konashenkov.

Të paktën 3.280 civilë janë vrarë dhe 3.451 të tjerë janë plagosur nga ushtria ruse që nga fillimi i luftës në Ukrainë, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, me shifrat reale që dyshohet se mund të jenë shumë më e larta.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) bën me dije se mbi 5,7 milionë ukrainas kanë ikur në vende të tjera dhe më shumë se 7,7 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.

Kategoritë
BotaLajme