Rusia vendos sanksione ndaj presidentit Biden dhe 13 zyrtarëve të tjerë amerikanë

Moska njofton se ndër 13 zyrtarët e sanksionuar amerikanë përfshihen edhe krerët e Pentagonit, Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) dhe zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë

Rusia ka vendosur sanksione personale ndaj presidentit amerikan, Joe Biden, si dhe ndaj 12 zyrtarëve të tjerë të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë njoftoi se ndër 12 zyrtarët e sanksionuar amerikanë përfshihen edhe krerët e Pentagonit, Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) dhe zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë.

Moska theksoi se kjo masë merret në përgjigje të sanksioneve ndaj disa zyrtarëve rusë.

“Ky hap i ndërmarrë si kundërpërgjigje është një pasojë e pashmangshme e kursit tejet rusofobike të ndërmarrë nga administrata aktuale e SHBA-së, e cila në një përpjekje të dëshpëruar për të ruajtur hegjemoninë amerikane, vendosi një bast duke hedhur poshtë çdo mirësjellje”, tha ministria ruse.

Ministria po ashtu theksoi se, përveç ndëshkimeve të tjera, këta zyrtarë nuk do të lejohen të hyjnë në Rusi.

“Në të njëjtën kohë, ne nuk mohojmë mbajtjen e lidhjeve zyrtare nëse ato përmbushin interesat tona kombëtare dhe nëse është e nevojshme do të zgjidhim problemet që dalin nga statusi i personave që figurojnë në ‘listën e zezë’ për të organizuar kontakte të nivelit të lartë”, theksoi ministria.

Ministria ruse publikoi listën e mëposhtme të individëve të prekur nga sanksionet:

1. Joseph Robinette Biden, president i SHBA-së

2. Anthony John Blinken, sekretar i shtetit i SHBA-së

3. Lloyd James Austin III, sekretar i mbrojtjes i SHBA-së

4. Mark Alexander Milley, kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët të SHBA-së

5. Jacob Jeremiah Sullivan, këshilltar i sigurisë kombëtar i presidentit të SHBA-së

6. William Joseph Burns, drejtor i CIA-s

7. Jennifer Rene Psaki, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë

8. Daleep Singh, zv/këshilltar i sigurisë kombëtar i presidentit të SHBA-së

9. Samantha Jane Power, administratore e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID)

10. Robert Hunter Biden, i biri i presidentit të SHBA-së

11. Hillary Diane Rodham Clinton, ish-kandidate për president

12. Adewale Adeyemo, zv/sekretar i Thesarit i SHBA-së

13. Reta Jo Lewis, kryetare e Bankës së Eksport-Importit të SHBA-së

Në njoftimin e ministrisë ruse po ashtu thuhet lista do të zgjerohet në të ardhmen e afërt me më shumë zyrtarë të lartë amerikanë, ushtarakë, ligjvënës, biznesmenë, ekspertë dhe personalitete të medias, të cilët janë “rusofobik ose kontribuojnë në nxitjen e urrejtjes kundër Rusisë”.

Në njoftim theksohet se po ndërmerren masa për të mbrojtur ekonominë ruse dhe për të siguruar zhvillimin e saj të qëndrueshëm.

Kategoritë
BotaLajme