Rusia zotohet se do të godasë dërgesat e armëve të SHBA-së dhe NATO-s në Ukrainë

Zëvendësministri i Jashtëm rus u zotua të pengojë ndihmën ushtarake perëndimore për Ukrainën që synon të vonojë “operacionin special ushtarak” të Rusisë

Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergey Ryabkov tha se dërgesat e armëve të SHBA-së dhe NATO-s në Ukrainë do të konsiderohen si objektiva të ligjshme nga ushtria ruse, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një intervistë me agjencinë ruse të lajmeve TASS, Ryabkov u zotua të pengojë ndihmën ushtarake perëndimore për Ukrainën që “synon të vonojë operacionin special ushtarak” të Rusisë.

“Ne ua bëjmë me dije amerikanëve dhe perëndimorëve se përpjekjet për të ngadalësuar operacionin tonë special, për të shkaktuar dëme maksimale ndaj kontingjenteve ruse dhe formacioneve të DPR-së dhe LPR-së (Republikat Popullore të Donetskut dhe Luhanskut) do të shtypen ashpër”, tha Ryabkov.

“Ne paralajmërojmë se dërgesat e armëve të SHBA-së dhe NATO-s në territorin ukrainas do të konsiderohen nga ne si objektiva legjitime ushtarake”, shtoi ai.

Ryabkov tha gjithashtu se SHBA-ja po e sanksionon Rusinë në dëm të vetë kompanive të saj, duke u përpjekur ta shtyjë Rusinë të shpallë një falimentim.

Diplomati rus vuri në dukje se SHBA-ja po sakrifikon arsyen e shëndoshë për qëllimet momentale politike dhe se qëndrueshmëria e ekonomisë ruse ndaj sanksioneve “e çmend Shtëpinë e Bardhë”.

“Arsyeja e shëndoshë dhe përfitimet ekonomike sakrifikohen për qëllimet politike momentale. Përshtypja është se qëndrueshmëria e demonstruar nga ekonomia jonë, efektiviteti i masave për stabilizimin e kursit të këmbimit të rublës në sfondin e inflacionit në vetë SHBA, për të mos përmendur rritjen e çmimeve dhe mungesën e mallrave bazë në vendet satelitore evropiane, thjesht e çmendin Shtëpinë e Bardhë”, tha Ryabkov.

Sipas tij, sanksionet stimulojnë ringjalljen e industrisë ruse dhe i ofrojnë bujqësisë së saj kushte të favorshme për rritje të mëtejshme.

“Zhvillimi ynë, natyrisht, mund të jetë i ndërlikuar, por Washington-i nuk mund ta ndalojë atë”, tha Ryabkov.

Ryabkov nuk e përjashtoi dëbimin e diplomatëve rusë nga SHBA-ja, duke e quajtur këtë masë “mjeti i preferuar ndëshkues i SHBA-së”.

“Por ne jemi gjithashtu të gatshëm për një zhvillim të tillë të ngjarjeve pasi vetë pala amerikane i ka vënë marrëdhëniet dypalëshe në prag të kolapsit të plotë”, vuri në dukje ai.

Ryabkov tha se SHBA-ja refuzoi dialogun e mëtejshëm për stabilitetin strategjik për shkak të ngjarjeve në Ukrainë dhe Rusia e mori atë në konsideratë, por mbetet e hapur për të kërkuar zgjidhje konstruktive për zgjidhjen komplekse të problemeve ekzistuese bazuar në parimin e pandashmërisë së sigurisë.

Zëvendësministri i Jashtëm rus mohoi çdo kontakt të plotë me administratën amerikane për situatën rreth Ukrainës dhe tha se në këtë moment kjo duket e kotë.

Ai gjithashtu u zotua se do të vazhdojnë hetimin në lidhje me aktivitetet biologjike ushtarake të SHBA-së jashtë vendit, duke shtuar se Rusia dëshiron të ftojë nënsekretaren e Shtetit të SHBA-së Victoria Nuland në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të sqaruar disa pika.

Kategoritë
BotaLajme