Sanksionet amerikane ndaj bandave në veri/Çfarë implikime mund të kenë

Profesori amerikan, Daniel Serwer dhe eksperti gjerman për Ballkanin, Bodo Weber kanë folur për Gazetën Express në lidhje me sanksionet e Departamentit amerikan të Thesarit ndaj grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit dhe implikmet që mund të kenë në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Weber thotë se sanksionet kanë goditur presidentin Vuçiq dhe lidhjet e Listës Serbe me krimin e organizuar. Ndërkaq, profesori Serwer thotë se sanksionet janë lëvizje e mirë por të njëjtat duhet të aplikohen edhe ndaj politikanëve në Prishtinë e Beograd.

Profesori i Universitetit “John Hopkins”, Daniel Serwer sanksionet i sheh si efektive nëse do të ndërmerren edhe ndaj politikanëve në Kosovë e Serbi.

“Sanksionet janë lëvizje e mirë, por vetëm fillimi. Ato nuk do të jenë plotësisht efektive përderisa, siç sugjeroni ju, të mos zbatohen edhe ndaj politikanëve në Prishtinë e Beograd”, tha Serwer për Express.

Teksa, eksperti gjerman, Bodo Weber thotë se sanksionet kanë goditur presidentin serb Aleksander Vuçiq dhe veprimin e sheh si hap të parë pozitiv të presidentit Biden në Ballkanin Perëndimor.

“Ky vendim për sanksione vjen si një surprizë e mirë. Hapi i parë vërtet pozitiv i administratës Biden në Ballkanin Perëndimor. Ndonëse këtë nuk e shoh si një hap ekskluzivisht, ndoshta as që synon fillimisht Kosovën, pra komunat me shumicë serbe në Kosovë, sepse siç dihet, rrjetet e synuara të krimit të organizuar jo vetëm që veprojnë në veri të Kosovës siç ka qenë rasti 10 vjet më parë, por luan një rol të rëndësishëm në vetë Serbinë, kështu që kjo lëvizje e SHBA-së po godet po aq shumë regjimet e Vuçiqit, po aq sa edhe lidhjen e Listës Serbe parti-shtet-krimi i organizuar në Kosovë. Megjithatë, integrimi i plotë i komunave me shumicë serbe në Kosovë në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës do të varet përfundimisht nga negociatat Kosovë-Serbi të udhëhequra nga BE-ja”, tha Weber.

Weber thotë tutje se për t’u çliruar serbët e Kosovës nga barra e Beogradit nevojitet më tepër se masat sanksionuese, e që sipas tij duhet të jetë marrëveshja finale Kosovë-Serbi që u mundëson serbëve të jetojnë të lirë në Republikën e pavarur të Kosovës.

“E pra, falë dështimit të dialogut politik që pas viteve 2013-14, ato grupe kanë shtrirë ndikimin e tyre edhe në komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit. Çlirimi i serbëve të Kosovës nga barra e Beogradit do të duhet shumë më tepër se këto masa sanksionuese, do të duhet një rivendosje serioze dhe më pas përfundimi i negociatave për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – një marrëveshje që do të riparojë dëmin e shkaktuar për serbët e Kosovës përmes dështimit të dialogut politik gjatë 7 viteve të fundit, nga i cili serbët në Kosovë kanë qenë më të dëmtuarit në vend të përfituesve kryesorë siç ishte paraparë fillimisht, dhe u mundësojnë atyre të jetojnë të lirë dhe të prosperuar në një Republikë të pavarur të Kosovës që gëzon marrëdhënie normale me Serbinë”, tha eksperti gjerman.

Njëjtë mendon edhe njohësi i rrethanave politike të Ballkanit Perëndimor, Daniel Serwer sa i përket asaj se a do të mund të integrohet veriu i Kosovës pas sanksioneve ndaj grupeve të krimit të organizuar në atë pjesë.

“Integrimi i veriut varet në më shumë gjëra sesa sanksionet amerikane. Kjo do të kërkojë një marrëveshje të qartë mes Beogradit e Prishtinës për t’u siguruar që veriu të qeveriset nga i njëjti sundim i ligjit si në pjesën tjetër të vendit dhe të përfitojë nga qeverisja e Prishtinës. Kurrë nuk do të jetë “thjesht njësoj” si pjesët tjera të vendit, aq sa Montana është si Nju Jorku. , unë mendoj se do të nevojitet shumë më shumë për ta ndalur ndikimin e Serbisë në veri.”, tha Serwer.

Sanksionimin e bandave të veriut nuk e sheh si efekt në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë eksperti gjerman Weber.

Ai thotë se duhet një rivendosje e re e dialogut e udhëhequr nga qeveria gjermane dhe amerikane për ta ringjallur atë.

“Nuk pres asnjë efekt. Dialogu është de facto i vdekur që nga aventura e dështuar Mogherini-Grenell për shkëmbimi të territoreve. Vetëm një rivendosje serioze, e udhëhequr nga qeveria e re gjermane dhe qeveria amerikane mund ta ringjallë atë. Dhe që kjo të ndodhë, qeveria e re gjermane duhet së pari të angazhohet fuqishëm me presidentin francez Macron që ai të mos e bllokojë zgjerimin e BE-së”, tha Weber.

E për efektet e sanksioneve në dialog, Serwer thotë se procesi i negociatave është duke lëvizur shumë ngadalë.

“Vërtet nuk e di, por dialogu tashmë është duke lëvizur shumë ngadalë”, tha Serwer

Profesori amerikan dhe eksperti gjerman nuk i shohin sanksionet si ‘presion’ që ShBA-ja mund ta përdorë tek autoritetet kosovare për ta zbatuar Asociacionin.

“Siç thashë, i shoh këto sanksione edhe më të shënjestruara ndaj regjimit të Vuçiqit/Serbisë sesa ndaj komunave/politikës serbe të Kosovës. Nëse Uashingtoni do t’i përdorte ato si argument për të rritur presionin ndaj Prishtinës për t’u angazhuar në zbatimin e marrëveshjeve të Asociacionit, kjo do të dështojë pa rivendosjen e negociatave. Jo se qeveria aktuale [Kosovës] dhe presidentja nuk duhet të nxjerrin një mësim, dmth duhet të largohen nga qëndrimet e tyre dogmatike në lidhje me Asociacionin. Por kjo çështje është e kotë të ngrihet përpara se të arrijmë në një rivendosje reale të negociatave”, tha Weber.

Teksa Serwer thotë se qeveria është e vendosur për moszbatim të Asociacionit dhe dyshon se vendosja e sanksioneve amerikane ndaj bandave në veri do ta ndryshojë qëndrimin e qeverisë.

“Qeveria e tanishme e Kosovës duket se është e vendosur për të mos e zbatuar Asociacionin. Dyshoj se vetëm njohja diplomatike do të mund të ndryshonte këtë pikëpamje”, tha Serwer.

Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja e Departamentit Amerikan të Thesarit ka targetuar rrjetet e korrupsionit disa shtete të evropës dhe Hemisferës Veriore, në mesin e tyre edhe Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij të krimit të organizuar si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë njofton kjo zyrë përmes një komunikate për media.

Në komunikatë ndër të tjera  thuhet se Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviq kanë pasur marrëveshje me politikanë për t’i ndihmuar partitë e tyre për t’i fituar zgjedhjet dhe në këmbim politikanët do t’i garantonin vëllezërve Veselinoviq kontrollë të disa bisneseve në disa rajone.

Lista e grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit përfshinë: Marko Rosiq, Andrija Zheljko Bojiq, Srdjan Milivoje Vuloviq, Milan Mihajloviq, Miljan Radisavljevic, Radovan Radiq, Sinisa Nedeljkoviq, Radule Steviq, dhe një numër biznesesh.

Kategoritë
LajmeVendi