Sateliti turk i komunikimit Turksat 5A me sukses hyn në funksion

Në fjalimin e tij, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, njoftoi gjithashtu lançimin e satelitit të ri turk TURKSAT 6A vitin e ardhshëm

Sateliti turk i komunikimit Turksat 5A me sukses u vu në funksion në një ceremoni solemne në kampusin Gölbaşı, raporton Anadolu Agency (AA).

Sateliti i ri turk Turksat 5A u lançua me sukses në janar 2021.

Në fjalimin e tij, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, njoftoi gjithashtu lançimin e satelitit të ri turk TURKSAT 6A vitin e ardhshëm.

“Ne gjithashtu prodhuam satelitin tonë TURKSAT 6A, ne planifikojmë të lançojmë këtë satelit, i cili është në fazën e testimit, vitin e ardhshëm”, tha Erdoğan, duke shtuar se me lëshimin e satelitit 6A, Turqia do të jetë në mesin e dhjetë vendeve që mund të prodhojnë një satelit komunikimi vitin e ardhshëm.

Ai gjithashtu njoftoi lëshimin në funksion të satelitit TURKSAT 5B.

“Vazhdon testimi i satelitit tonë TURKSAT 5B, fazat e projektimit dhe prodhimit të të cilit tashmë janë përfunduar me sukses. Ne synojmë ta dërgojmë këtë satelit në hapësirë ​​në tremujorin e fundit të vitit. Kapaciteti i tij bartës do të jetë më i lartë se të gjithë satelitët deri më tani. Kur TURKSAT 5B të jetë në funksion, kapaciteti ynë i komunikimit të të dhënave do të rritet 15 herë”, tha presidenti turk, duke theksuar se Turqia në periudhën e fundit ka bërë përparim të madh në fushën e kërkimit satelitor.

– Sipërmarrje strategjike

“Ne së shpejti do të shpallim sipërmarrjen tonë strategjike që do të mbështesë inovacionin e bazuar në të dhëna dhe do të zhvillojë më tej aftësitë tona kombëtare të prodhimit të teknologjisë. Të nxitur nga vetëdija se kërcënime të mëdha do të vijnë gjithashtu nga hapësira kibernetike, ne do të zhvillojmë një mekanizëm të fortë të mbrojtjes kibernetike”, tha Erdoğan.

Ai theksoi se Turqia është në hap me epokën digjitale me të gjitha këto përpjekje dhe arritje.

– Sateliti i ri turk Turksat 5A

Sateliti i ri turk Turksat 5A, u lançua me sukses në janar të këtij viti nga baza amerikane Cape Canaveral në Florida. Lançimi i satelitit të gjeneratës së re u krye duke përdorur raketën Falcon 9 të SpaceX.

Bëhet fjalë për një satelit komunikimi, ndërsa lançimi u krye me sukses dhe pa probleme të mëdha. Sateliti turk 5A pritet të ofrojë shërbime televizive në Turqi, Lindjen e Mesme, Evropë dhe Afrikë.

Tre vjet më parë, autoritetet turke nënshkruan një marrëveshje me kompaninë Airbus për prodhimin e satelitëve Turksat 5A dhe 5B. Turqia po punon gjithashtu në prodhimin e satelitit Turksat 6A, i cili do të jetë një produkt i industrisë së brendshme.

Turqia është një nga 30 vendet që kanë satelitë në hapësirë, ndërsa shteti turk aktualisht ka katër të tillë.

Kategoritë
BotaLajme