Scholz pas takimit me Kurtin: Marrëveshja Kosovë – Serbi do t’u sillte të mira qytetarëve të të dyja vendeve

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ka thënë se lufta në Ukrainë, dialogu Kosovë-Serbi dhe liberalizimi i vizave për kosovarët kanë qenë ndër temat për të cilat kanë folur në takimin që është mbajtur në Berlin.

Scholz tha se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të sillte stabilitet në rajon.

“Jam i bindur se në kohë si këto ku në një rajon pranë nesh zhvillohet luftë brutale, ka rëndësi që të dyja vendet ta zgjidhin konfliktin hap pas hapi.Objektiv i dialogut është arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. E inkurajova Kurtin për konstruktivitet në negociata. Marrëveshja do t’u sillte të mira qytetarëve të të dyja vendeve”, tha kancelari gjerman.

Ai paralajmëroi një vizitë në Kosovë në muajt në vazhdim, ndërsa tha se në gjysmën e dytë të vitit do ta ftojë Kurtin përsëri në Berlin për një takim tjetër.

Scholz i cili tha se Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave, është pyetur edhe për kohën se kur mund të ndodh kjo.

Qendrimi ynë për këtë çështje është shumë i qartë. Ne jemi të mendimit që liberalizimi mund të funksionon mirë. Ne nuk mund të themi dot se kur sepse kjo varet nga organet tjera, por ne jemi të interesuar që kjo të ndodhë shpejt”, u përgjigj kancelari gjerman

Kategoritë
LajmeVendi