“Së shpejti mund të nisin gërmimet për gjetjen e të zhdukurve të luftës në një lokacion të ri në Serbi”

Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, tha se procesi i gjetjes së të zhdukurve të luftës nuk është vetëm në dorën e palës kosovare, por edhe në atë serbe dhe ndërkombëtare.

Së shpejti pritet që të nisin gërmimet në një lokacion të ri në territorin e Serbisë për gjetjen e eshtrave të personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kështu ka bërë të ditur Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, në shënimin e 27 Prillit – Ditës së të Pagjeturve, me ç’rast përfaqësues të familjarëve të të pagjeturve vendosën lule në obeliskun pranë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në Prishtinë.

Hoti tha se procesi i gjetjes së të zhdukurve të luftës nuk është vetëm në dorën e palës kosovare, por edhe në atë serbe dhe ndërkombëtare.

Ai para mediave tha se në raste të caktuara presin edhe deri në një vjet përgjigje për të marrë imazhe satelitore për disa lokacione në Serbi, mirëpo, theksoi se janë afër të fillimit të gërmimeve në një lokacion të ri atje.

“Këto ditë, delegacioni i Kosovës do të fillojë gërmimet në Serbi edhe në një lokacion të radhës. Por, kemi pritur dhe vazhdojmë me urgjencë t’i kërkojmë imazhe satelitore, sepse kemi pasur dezinformacione për lokacione të ndryshme në Serbi, të cilat nuk kanë qenë të mjaftueshme”, tha Hoti, i cili shtoi se shpreson që do të ndihmohen nga bashkësia ndërkombëtare.

Hoti thotë se së shpejti familjarët e të pagjeturve dhe qytetarët do të informohen për vendndodhjen e saktë të këtij lokacioni, ndërsa nuk e di saktë se sa do të mund të marrë kohë procesi deri në gjetjen e eshtrave të viktimave.

Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini, i cili e ka të zhdukur birin e tij në luftë, tha se çështja e të pagjeturve duhet të mos politizohet, duhet të bëhet presion më i madh tek ndërkombëtarët të cilët duhet po ashtu të bëjnë presion tek Serbia.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare ka imazhe satelitore të Serbisë, por nuk po shpreh vullnet të duhur për të ndihmuar në këtë proces.

“Ta dini se kjo është pjesë humane dhe duhet të bëni humanitet më të madh dhe një punë më të madhe që keni bërë deri më tash. E vërteta është se kemi kritika dhe kërkesa nga familjarët se nuk po bëhet sa duhet për zbardhjen e fatit të pagjeturve”, theksoi Qerkini.

Sa i përket progresit të procesit të zbardhjes së fatit të të pagjeturve nëpërmjet dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, Qerkini tha se i vetmi hap pozitiv është vënia në rend të parë të kësaj çështjeje në dialog, megjithëse nuk është shënuar asnjë përparim.

Në Kosovë ende mungojnë eshtrat e rreth 1.600 personave të cilët janë zhdukur në luftën e vitit 1998-99. Gjatë vitit 2021 institucionet kosovare në bashkëpunim me ato serbe dhe Misionin Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) kryen gërmime në 9 lokacione të ndryshme në Kosovë dhe Serbi të cilat rezultuan me gjetjen e 24 personave që më pas iu dorëzuan familjarëve të tyre.

Kategoritë
BotaLajme