Sektori që po u merr jetën, pesë punëtorë vdiqën këtë vit në ndërtimtari

Të enjten e javës që shkoi një punëtor vdiq gjatë kohës sa po punonte në ndërtimtari. Vetëm gjatë këtij vitit pesë punëtorë kanë vdekur gjatë punës në këtë sektor. Në ndërkohë, në 2020-ën, në ndërtimtari vdiqën 26 punëtorë

E në total gjatë këtij viti, në vendin e punës kanë vdekur pesë punëtorë. Agim Millaku nga Inspektorati i Punës në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka thënë për Express, se 31 punëtorë të tjerë janë lënduar rëndë gjatë punës në ndërtimtari, në vitin 2021.

“Në këtë periudhë kohore të këtij viti (2021) kanë ndodhur gjithsejtë 49 aksidente të punëtorëve në vend të punës. Në këto aksidente jetën e kanë humbur 5 punëtor, 31 kanë pësuar lëndime të rënda dhe 13 aksidente  kanë përfunduar me lëndime të lehta”, ka thënë ai në një përgjigje me shkrim për Express.

Në ndërkohë, sipas Millakut gjatë 2020-ës, në ndërtimtari kanë ndodhur 176 aksidente në vendin e punës, e ku kanë vdekur 16 punëtorë.

“Vitin e kaluar (2020) kanë ndodhur 176 aksidente në vend të punës. 16 vdekje (11 vdekje në proces të punës si rezultat i ushtrimit të veprimtarisë së punës në subjekte juridike , 2 vdekje të natyrshme dhe 3 vdekje në punë në shtëpi private- prona private), 55 lëndime të rënda dhe 105 lëndime të lehta, deklaroi ai për Express.

Inspektori Millaku: Ka avancim në krijimin e kushteve të sigurisë

Inspektori Agim Millaku ka thënë për Express se ka avancim në krijimin e kushteve të sigurisë në vendin e punës. Megjithatë, ai e pranoi se ende ka vend për bashkëpunim dhe për të punuar për avancimin e mëtutjeshëm të kushteve të sigurta për punëtorët.

“Edhe pse ka avancim në krijimin e kushteve të sigurisë dhe krijimit të ambientit të shëndetshëm të punës për punëtorët në vendet e tyre të punës nga ana e punëdhënësve, në veçanti në sektorin e ndërtimtarisë përsëri mbetet shumë për të punuar të gjithë ne partnerët  në procesin e punës (qeveri, punëdhënës, përfaqësues të punëdhënësve,  punëtor dhe përfaqësues të punëtorëve) së bashku në përmirësimin dhe ngritjen e shkallës së sigurisë dhe ruajtjes së shëndetit të punëtorëve në vendet e tyre të punës”, deklaroi ai.

Ai e pranoi se ka edhe shumë raste të tjera që  janë lënduar dhe kanë marrë lëndime të pariparueshme në vendin e punës.

“Për fatin e keq rasti i aksidentit në Mitrovicë është një rast i rëndë dhe nuk është rast i vetëm, por mjerisht ka edhe shumë raste të tilla aksidentale në të cilat punëtorët kanë humbur jetën ose kanë marr lëndime të rënda të riparueshme ose të pa riparueshme  në vendet e tyre të punës. Shfrytëzoi rastin që në emër të Inspektoratit të punës të iu shpreh ngushëllimet e sinqerta gjithë familjeve të punëtorëve që kanë  humbur jetën në vendet e tyre të punës”, ka thënë ai për Express.

MPMS ka të angazhuar vetëm 38 inspektorë të punës

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka të angazhuar vetëm 38 inspektor të punës.

Këtë e ka konfirmuar për Express, Agim Millaku nga Inspektorati i Punës.

“Në inspektoratin e punës janë të angazhuar gjithsejtë 38 inspektor të punës”, tha ai.

Ai deklaroi për Express, se kjo ministri është duke u përpjekur vazhdimisht për të rritur shkallën e sigurisë dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve në vazhdimësi.

“Për të rritur shkallë e sigurisë dhe ruajtjen e shëndetit të punëtorëve në vendet e tyre të punës Ministria- inspektorati i punës është duke bërë përpjekje të vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve njerëzore, qoftë në shtimin e numrit të inspektorëve , qoftë në trajnimin e inspektorëve ekzistues në ngritjen e shkallës së  kompetencës në ushtrimin e mbikëqyrjes së zbatimit të dispozitave pozitive ligjore”, tha Millaku për Express.

Sindikata e pakënaqur me Qeverinë për trajtimin e punëtorëve në sektorin privat

Jusuf Azemi nga Sindikata e Punëtorëve në Sektorin Privat ka thënë për Express, se niveli i sigurisë në punë, në Kosovë nuk është i kënaqshëm.

“Ne si shtet nuk po bëjmë asgjë për jetën e këtyre punëtorëve. Fakti se si e ka humbur jetën para tri ditësh punëtori në Mitrovicë, bën me dije se në çfarë niveli jemi ne. Punëtorët të ngjiten në atë pjesë, në vinç ku duhet të bartet materiali, kjo nuk do koment. Qeveria të marr masa që të sigurojë jetën e punëtorëve ne sektorin privat”, ka thënë Azemi për Express.

Ai tha se edhe zhvillimi i punës në ambientet e jashtme në temperatura të nxehta është një gjë për të cilën duhet të reagojë qeveria.

“Apeli i Sindikatës ka qenë edhe viteve të kaluara që në temperaturat në moment që kalon mbi 33 gradë celsius duhet të ndërpriten punimet, e sidomos punimet e jashtme. Unë kam dal sot dhe kam vizituar shumë kompani në të cilat punëtorët punonin në kate të larta dhe për më tepër kanë punuar pa pajisje mbrojtëse. Andaj Qeveria e Kosovës, gjegjësisht ministria e Punës e ka për obligim që t’i thërras pronarët e kompanive dhe ta caktojë një orar pushimi që nga ora 10:00 deri në orën 16:00, që kjo të jetën pjesë e pushimit të punëtorëve dhe të punohet në dy pjesë. Qeveria  e Kosovës përkundur që kemi kërkuar nuk ka nxjerr ende një rregullore që e përcakton se deri në sa gradë mund të punojnë punëtorët, përderisa vendet e rajonit e kanë këtë rregullore”, deklaroi ai.

Kategoritë
LajmeVendi