Serbi, fillojnë protesta të reja me bllokimin e rrugëve

Polica me veshje civile parandaloi një incident, kur një shofer doli nga automobili i tij për t’u përballur fizikisht me protestuesit

Disa qindra njerëz bllokuan sot për një orë autostradën pranë Qendrës Sava në Beograd, ndërsa në fillim të tubimit u regjistrua një incident, kur një shofer u përpoq të përballet fizikisht me demonstruesit, por që u pengua nga policia civile, raporton Anadolu Agency (AA).

Megjithëse ditët e kaluara Lidhja e Organizatave Ekologjike të Serbisë përmes rrjeteve sociale thirri qytetarët të bllokojnë rrugën, demonstruesit thanë se ishin mbledhur me vetiniciativë dhe paralajmëruan radikalizimin e protestave fundjavën e ardhshme pasi nuk u besojnë veprimeve të autoriteteve serbe lidhur me kompaninë “Rio Tinto”.

Kjo para së gjithash ka të bëjë me deklaratën e kryeministres serbe Ana Bërnabiq e cila disa orë para protestës së sotme tha se qeveria serbe është “pranë vendimit” për anulimin e të gjitha lejeve që ia ka dhënë kompanisë ”Rio Tinto”.

Qytetarët kanë brohoritur me mesazhe fyese drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe përveç incidentit të sipërpërmendur në fillim të bllokadës, nuk ka pasur incidente të tjera dhe si në bllokadat e kaluara, nuk ka pasur policë me uniformë por vetëm policë me rroba civile.

Gjatë bllokadës, qytetarët kanë lejuar dy autoambulanca të cilat janë shfaqur njëkohësisht nga të dy drejtimet e autostradës.

Arsyeja e bllokadave të sotme, si edhe më parë, ishte se qeveria serbe nuk i vuri në dispozicion publikut të gjitha marrëveshjet, kontratat apo memorandumet e nënshkruara me “Rio Tinton” për shfrytëzimin e litiumit në luginën e Jadrës, afër qytetit të Loznicës.

Në fund të vitit të kaluar, organizata Kryengritja Ekologjike (Ekološki ustanak) i dha afat Qeverisë së Serbisë që deri më 7 janar, Krishtlindjet Ortodokse, t’i paraqesë të gjitha dokumentet e nënshkruara në emër të qytetarëve të Serbisë me kompaninë “Rio Tinto” dhe kompaninë bijë në Serbi, por kjo kërkesë nuk u plotësua.

Kategoritë
LajmeRajoni