Serbi, hapet Konsullata e përgjithshme e Turqisë në Novi Pazar

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Turqisë në Novi Pazar është konsullata e parë në historinë e qytetit.

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Turqisë në Novi Pazar të Serbisë, konsullata e parë në këtë qytet, u hap zyrtarisht sot me një ceremoni të prerjes së shiritit, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidentët e Turqisë dhe Serbisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe Aleksandar Vuçiç, iu drejtuan ceremonisë së hapjes përmes video-mesazhit ndërsa shiriti u pre nga ministrat e Jashtëm të të dy vendeve, Mevlüt Çavuşoğlu dhe Nikola Selakoviç, të shoqëruar nga një delegacion.

Përveç presidentit dhe ministrave, në ceremoninë e hapjes folën ambasadori turk në Serbi, Hami Aksoy dhe konsulli Basar Basol, kurse morën pjesë Sead Nasufoviç, Reis-ul-Ulema i Bashkësisë Islame të Serbisë, kryetari i Novi Pazarit, Nihad Bishevac, kryetarja e Këshillit Kombëtar Boshnjak, Jasmina Curiç, Rasim Ljajiç, udhëheqës i Partisë Social Demokratike të Serbisë, zyrtarë dhe qytetarë të tjerë të shumtë.

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Turqisë në Novi Pazar është konsullata e parë në historinë e këtij qyteti.

Çavuşoğlu do të vizitojë gjithashtu Këshillin Kombëtar Boshnjak, ku do të zhvillojë bisedime me kryetaren Jasmina Curiç.

Gjithashtu është planifikuar që ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë të hapë sallën e Akademisë Sportive “Dogus”, e cila u restaurua nga kompania me të njëjtin emër nga ky vend me urdhër të presidentit turk Erdoğan.

I shoqëruar nga ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës së Serbisë, Tomislav Momiroviç, Çavuşoğlu do të vizitojë gjithashtu sheshin e ndërtimit të kompanisë Tasyapi, e cila po modernizon rrugën Novi Pazar – Tutin. Me këtë rast, Çavuşoğlu do të zhvillojë bisedime edhe me drejtorin ekzekutiv të Tasyapi, Emrullah Turanli

Bisedë me Daçiçin

Pas kthimit në Beograd në të njëjtën ditë, Çavuşoğlu do të takohet me kryetarin e parlamentit serb, Ivica Daçiç dhe pritet të vizitojë ekipin turk të volejbollit të grave, i cili po luan në kryeqytetin serb si pjesë e Kampionatit Evropian.

Dje në Beograd, ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministren Ana Brnabiç, ministrin e Punëve të Jashtme, Nikola Selakoviç, ndërkaq të shoqëruar nga ministrja e Kulturës dhe Informacionit, Maja Gojkoviç vizituan Xhaminë Bajrakli.

Kategoritë
LajmeRajoni