Serbi, protestë kundër përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut

Gjatë protestës, protestuesit brohoritën me sloganet “Ne jemi ata, ata janë ne”, “Serbët dhe rusët janë vëllezër të përhershëm”, “Mali i Zi dhe Serbia janë një familje” dhe “Ratko Mladiç”

Në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, u mbajt një protestë kundër votës së Serbisë për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit e ekstremit të djathtë thanë se serbët dhe rusët janë vëllezër të përhershëm, se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dëmton këtë vëllazëri dhe se është e papranueshme vota e qeverisë serbe për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Duke vënë në dukje se vendimet e marra në OKB nuk janë marrë në emrin e tyre, protestuesit thanë se fitorja e Rusisë në luftën në Ukrainë do të ishte e mirë për interesat e Serbisë.

Gjatë protestës, protestuesit brohoritën me sloganet “Ne jemi ata, ata janë ne”, “Serbët dhe rusët janë vëllezër të përhershëm”, “Mali i Zi dhe Serbia janë një familje” dhe “Ratko Mladiç”.

Në protestë u theksua se 85 për qind e popullit të Serbisë janë kundër sanksioneve ndaj Rusisë dhe se vendimet “tradhtare dhe të pamoralshme” kundër Rusisë duhet të anulohen.

Gjithashtu në protestë u brohoritën sloganet “tradhtar” kundër Vuçiçit. Protestuesit kërkuan shkarkimin e të gjithë këshilltarëve të NATO-së nga ministritë serbe. Protesta përfundoi para ambasadës së Rusisë në Beograd me slogane kundër NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE).

Kategoritë
LajmeRajoni