Serbia refuzon t’i sanksionoj mediet ruse të financuara nga Kremlini

Serbia është i vetmi vend në rajon që ka vendosur të mos dënoj agresionin ushtarak rus në Ukrainë.

Po ashtu, Serbia ka refuzuar të vendos sanksione ndaj medieve ruse që financohen nga Kremlini, si Sputnik dhe RT (Russia Today).

Analistja Ivana Stradner me anë një reagimi në Twitter ka thënë se ky refuzim është një vërtetë e keqe për Serbinë.

“Pasi Serbia refuzoi të vendosë sanksione ndaj Rusisë, Qeveria serbe ka deklaruar se nuk do të censurojë asnjë media ruse… kjo intervistë ishte për Sputnik Serbia. Si një aleat i ngushtë rus, kjo është vërtet e keqe për reputacionin e Serbisë”, ka shkruar Strander.

Lidhur me këtë vendim, profesori i Universitetit të Beogradit, Ivan Videnoviq është shprehur se i vjen turp që Serbia nuk e ka dënuar agresionin rus.

“Unë jam krenar për të gjitha pjesët e ish-shtetit tim të Jugosllavisë për dënimin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Unë jam krenar për Kosovën, dikur pjesë e shtetit tim, për shkak të dënimit të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Më vjen turp për shtetin tim, Serbinë”, thuhet në reagimin e Videnoviqit.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se nuk mund t’i vendosin sanksione Rusisë.

Daçiq ka deklaruar se Serbia nuk ka interes të ndjekë politikë në përputhje me interesat e Perëndimit dhe se, “ata që kërkojnë nga Serbia t’i vendosë sanksionet Rusisë nuk janë kundër Rusisë, por kundër Serbisë”.

Parlamenti Evropian gjatë të martës ka miratuar një rezolutë që dënon agresionin rus të Ukrainës. Rezoluta i bën thirrje Moskës të pezullojë menjëherë të gjitha aktivitetet ushtarake, të tërheqë forcat dhe pajisjet ushtarake dhe paraushtarake nga i gjithë territori i njohur ndërkombëtarisht i Ukrainës.

Përfaqësuesit e Serbisë në Këshillin e Evropës janë tërhequr gjatë votimit për “suspendimin” e diplomatëve dhe delegatëve rusë në organet kryesore të asaj organizate. Kështu, Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.

Ajo mbeti, së bashku me Bosnjën e Hercegovinën, i vetmi vend në rajon që nuk u rreshtua ose nuk njoftoi përafrimin e saj me raundin më të ri të sanksioneve të prezantuara nga BE. /Telegrafi/

Kategoritë
BotaLajme