Serwer: Kosova dhe Serbia s’kanë vullnet për marrëveshje, përfshirja e SHBA-së në dialog e nxit Rusinë

Daniel Serwer, profesor universitar në Universitetin Johns Hopkins, njëherësh edhe njohës i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, ka konsideruar se marrëveshja gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet shumë shpejt, mirëpo palët nuk kanë vullnetin e duhur.

Serwer në intervistë për lajmi.net ka folur për të arriturat e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse nuk ka preferuar t’i quajë të këtilla, duke thënë se Kosova fitoi në raport me BE-në nga dialogu pasi që u trajtua barabartësisht me Serbinë, shkruan lajmi.net

“Për më tepër, mendoj se dialogu ka pasur një ndikim pozitiv në pozitën ndërkombëtare të Kosovës duke e vendosur atë në një pozitë të barabartë dhe simetrike me Serbinë në kontekstin e BE-së, ndonëse ka pasur një ndikim negativ pasi lejoi Serbinë të inkurajojë vendet që të vonojnë njohjen teksa dialogu vazhdonte”, deklaroi ai në intervistë.

Njohësi i rrethanave të Ballkanit Perëndimor ka folur edhe për një deklaratë të tijën, ku pati thënë se ish-emisari special i SHBA-së, Richard Grenell, nuk është mik i kosovarëve. Serwer ka thënë se ky deklarim qëndron dhe se Grenell nuk ia do të mirën dialogut.

“Grenell duhet të shmanget nga kushdo qoftë në Serbi apo Kosovë, që ia dëshiron të mbarën dialogut. Ai është mashtrues, jo diplomat. Marrëveshja e Uashingtonit nuk vlen më shumë se dy copa letre”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

Serwer ka folur edhe për çështjen e rolit aktiv të SHBA-së në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe çështjen e liberalizimit të vizave ndaj kosovarëve.

Lexoni më poshtë të plotë intervistën e Daniel Serwer për lajmi.net:

Lajmi.net: Çështja e parë që do të donim të diskutonim janë hapat që Kosova ka ndërmarrë vitet e fundit në kuadër të dialogut me Serbinë. Cilat janë marrëveshjet më progresive dhe regresive që nga fillimi i dialogut teknik mes dy vendeve, ku ndërmjetësoi Brukseli, sipas jush?

Daniel Serwer: Nuk do t’i përgjigjem pyetjes suaj, për një arsye të fortë. Nuk ka një vlerësim përfundimtar të marrëveshjeve dhe ndikimit të tyre, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të organizatave të shoqërisë civile për lavdërim si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Kjo nuk është e mirë. Unë besoj se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të nxjerrin rregullisht raporte progresi mbi zbatimin, pengesat ndaj zbatimit dhe ndikimin e marrëveshjeve. Ato duhet të bazohen në bashkëpunimin e ngushtë me shoqërinë civile dhe organizatat qeveritare në të dy vendet. Për më tepër, mendoj se dialogu ka pasur një ndikim pozitiv në pozitën ndërkombëtare të Kosovës duke e vendosur atë në një pozitë të barabartë dhe simetrike me Serbinë në kontekstin e BE-së, ndonëse ka pasur një ndikim negativ pasi lejoi Serbinë të inkurajojë vendet që të vonojnë njohjen teksa dialogu vazhdonte.

Lajmi.net: Meqë po flasim për Brukselin, duhet theksuar se arritja e Marrëveshjes për formimin e Asociacionit të Komunave nga Kosova po përballet me kundërshti të zëshme nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Sipas tij, marrëveshja është arritur nga qeveritë e mëparshme dhe po rrezikon “bosnjëzimin” e Kosovës, në kuptimin e ndërtimit të një Republike të re Serbe. Cili është mendimi juaj për Asociacionin dhe kundërshtimin që po i bëhet nga kryeministri?

Daniel Serwer: Kryeministri është duke bërë diçka për të cilën unë mendoj se është një taktikë e mirë negociuese: frenimi i prioritetit kryesor të Serbisë sepse Serbia po frenon prioritetet kryesore të Kosovës, përkatësisht njohjen dhe anëtarësimin në OKB. Çështja e Asociacionit do të dukej shumë ndryshe nëse Serbia do të ishte e përgatitur të njihte Kosovën dhe t’i thoshte Moskës dhe Pekinit që ta lejonin Prishtinën në OKB.

Lajmi.net: Nga ana tjetër, SHBA-të i kanë lëshuar një lloj ultimatumi Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë gjatë mandatit të qeverisë aktuale të Kosovës, e cila kulmon me njohjen reciproke të dy vendeve. Si mendoni, a mund të finalizohet marrëveshja e përmendur brenda 3 apo 4 viteve?

Daniel Serwer: Marrëveshja mund të finalizohet për 3 ose 4 muaj pasi të ketë vullnetin politik nga të dyja palët për të bërë kompromiset e nevojshme. Por nuk ka ndonjë shenjë nga Serbia që kjo të ndodh, e aq më pak nga Kosova.

Lajmi.net: Ka pasur edhe thashetheme për përfshirje aktive të SHBA-së në dialog, apo edhe direkte, për të përshpejtuar një marrëveshje përfundimtare. Mendoni se duhet të ndodhë një gjë e tillë?

Daniel Serwer: Mund të ndodhë, por nëse një gjë e tillë nxit përfshirjen ruse, nuk do të ishte gjë e mirë.

Lajmi.net: SHBA-ja, përkatësisht Departamenti i Thesarit i SHBA-së, së fundi ka shënjestruar grupet e kontrabandës dhe kriminale në Kosovë, disa prej tyre edhe politikanë. A mendoni se ka një shembull të veprimeve të ngjashme që SHBA-të i kanë zbatuar në vende të tjera dhe do t’i ndjekin në rastin e Kosovës, si dhe nëse mund të kursehen politikanët e vendeve të rajonit?

Daniel Serwer: Versioni im është se sanksionet e SHBA-së për korrupsionin janë dhe do të vazhdojnë të jenë globale, jo vetëm në Ballkan. Asnjë fajtor nuk duhet të kursehet.

Lajmi.net: Në një intervistë vitin e kaluar keni thënë se Grenell nuk është mik i kosovarëve. A qëndron ende ky mendim, duke qenë se Grenell gjatë këtij viti, pas diplomacisë në hije të Kosovës, erdhi në vizitë dhe tha se do të kujdeset për dialogun Kosovë-Serbi dhe zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit?

Daniel Serwer: Grenell duhet të shmanget nga kushdo qoftë në Serbi apo Kosovë, që ia dëshiron të mbarën dialogut. Ai është mashtrues, jo diplomat. Marrëveshja e Uashingtonit nuk vlen më shumë se dy copa letre.

Lajmi.net Jemi gati në fund të këtij viti dhe viti i ardhshëm pritet të jetë më premtues për kosovarët sa i përket liberalizimit të vizave. Shpresat janë rritur me ardhjen e një kancelarie të re në Gjermani, e cila në programin e tyre politik për Ballkanin Perëndimor parasheh edhe liberalizimin e vizave për Kosovën. A mendoni se Gjermania do të jetë mjaft aktive për të bindur vendet skeptike për Këshillin e BE-së?

Daniel Serwer: Unë sigurisht shpresoj që një gjë e tillë të ndodh. Kosova meriton heqjen e vizave. Gjermania është de facto liderja e BE-së në Ballkan. Berlini duhet të përcaktojë rolin e vet.

Kategoritë
LajmeVendi