ShBA apel shtetasve të saj, s’përjashton mundësinë për trazira në Shqipëri gjate zgjedhjeve

Ambasada amerikane ngre dyshime se në 25 prill mund të ketë probleme. Kjo nisur nga zgjedhjet e kaluara. Në një njoftim shpërndarë për shtetasit amerikanë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, ambasada flet për zgjatje të trazirave edhe përtej së dielës së votimit.

“Në zgjedhjet e kaluara janë parë incidente të lokalizuara të dhunës ndaj zyrtarëve që merren me zgjedhjet, kryesisht atyre të lidhur me partitë politike dhe materialet e votimit. Kjo krijon perspektivë për dhunë të mundshme ose trazira të tjera të Dielën e 25 Prillit, ose në ditët pas votimit”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Edhe pse nuk përmend qytet konkret, ambasada në njoftim flet për mundësinë e përhapjes së protestave në disa zona.

“Demonstratat në një qytet kanë potencialin për të shkaktuar tubime shtesë në zona të tjera përreth vendit. Për më tepër, trafiku në zonën e Ambasadës ose rreth qendrave të qyteteve të mëdha mund të preket nga tubimet ose protestat, duke shkaktuar mbingarkesë ose vonesa”, thuhet më tej në deklaratë.

Pritshmëria për procesin elektoral në Shqipëri, është disaditore.

Numërimi i votave do të pasojë votimin e së dielës në qendrat e numërimit dhe në disa bashki mund të zgjasë deri në disa ditë.

Ashtu si në të gjitha njoftimet për shtetasit e saj para protestave, ambasada i këshillon ata të mbajnë profil të ulët, të qëndrojnë larg grumbullimeve apo vendeve ku mund të ketë dhunë.

Kategoritë
BotaLajme