SHBA, e ndikuar nga seriali “Ertuğrul”, 60-vjeçarja amerikane bëhet muslimane

Muslimania amerikane Hatixhe që jeton në një qytezë të vogël në rajonin Wisconsin i shpjegoi gazetarit të Anadolu Agency (AA) historinë e saj nga seriali Ertuğrul e deri tek pranimi i islamit

MÜCAHİT OKTAY

Një grua 60 vjeçare në rajonin Wisconsin të SHBA-së pranoi Islamin pasi u ndikua nga seriali “Ertuğrul” dhe pas pranimit të islamit ajo mori emrin Hatixhe.

Muslimania amerikane Hatixhe që jeton në një qytezë të vogël në rajonin Wisconsin i shpjegoi gazetarit të Anadolu Agency (AA) historinë e saj nga seriali Ertuğrul e deri tek pranimi i islamit.

“Jetoj në një vendbanim të vogël të rajonit saqë mund të konsiderohet si fshat. Në një ditë kur nuk isha në humor të mirë po hulumtoja në Netflix dhe u përballa me një serial të emërtuar ‘Diriliş Ertuğrul’. Fliste për një histori rreth së cilës nuk dija asgjë. Dëgjova Allah, islam, paqe, drejtësi dhe ndihmë për të shtypurit, këto mua më tërhoqën dhe me lidhën me serialin”, shpjegoi gruaja amerikane.

Më tej 60-vjeçarja amerikane shtoi se në serial pëlqeu më shumë karakteret Ertuğrul, Turgut dhe Selcan Hatun, ndërsa u zhgënjye kur mësoi se Bamsı Alp në të vërtetë nuk ka qenë asnjëherë pranë Ertuğrul-it.

Bisedat me përmbajtjen e mesazheve fetare të karakterit Muhyiddin İbn-i Arabi në serialin historik i dhanë një kuptim të ri jetës time, tha Hatixheja duke shtuar se “İbn-i Arabi, ishte një prej karaktereve favoritë për mua në serial. Fjalët e tij më bënë të mendoj shumë, madje ndonjëherë shkaktonin që sytë e mi të mbusheshin me lot”.

Duke bërë të ditur se ka kryer edhe hulumtime për islamin dhe historinë Osmane gjatë kohës kur po ndiqte serialin, Hatixheja u shpreh:

“Seriali më tërhoqi vëmendjen aq shumë saqë i përfundova 4 herë të gjitha pjesët dhe aktualisht kam vazhduar ta shikoj për të 5-tën herë. Vazhdimisht e ndaloja serialin, lexoja burimet për të cilat flitej dhe më pas e shikoja sërish. Gjithashtu e shikoja për të kërkuar në internet pamje të tjera dhe për të marrë më shumë informacione lidhur me islamin, historinë e muslimanëve dhe Perandorisë Osmane”.

“Seriali Ertuğrul më hapi sytë”

Pasi nënvizoi se seriali Ertuğrul ka ndikuar shumë në drejtimin drejt Islamit dhe për të mësuar të vërtetat, Hatixheja thotë se “kurioziteti im për historinë më lidhi me serialin. Kam bërë mirë që e kam ndjekur, sepse ky serial më hapi sytë dhe njoha Islamin”.

Gruaja amerikane shpjegoi se temat në serial i ka mësuar si mësim dhe se duke u bazuar në serial ka lexuar burimet që ka mundur të gjejë rreth Ertuğrul Gazi dhe se nuk ka mundur të mbajë lotët e saj përballë disa bisedave me djalin e tij Osman.

“E ndryshova emrin në Hatixhe”

Pasi tha se për të mësuar më shumë rreth Islamit ka lexuar shumë nga përkthimi në anglisht i Kur-anit, Hatixheja shtoi se ka vendosur të bëhet muslimane.

“Tashmë isha e sigurt se besoja. Kur po kërkoja në internet mësova se në rajonin ku jetoja ndodhej vetëm një xhami e vogël. Kur vajta atje shikova se çdo musliman me të cilin u përballa ishte shumë i sjellshëm. Pas namazit shqiptova shehadetin dhe ndryshova emrin në Hatixhe (Khadija)”, thotë ajo.

Hatixheja thotë se pasi është bërë muslimane, është përballur me reagime të papritura nga të afërmit e saj.

“Pasi shqiptova shehadetin, kur po kthesha në vendin ku jetoja, bëra një vizitë në shtëpinë e një shoqes time të afërt dhe pasi i thash që jam bërë muslimane, ajo më bëri të hesht. Ata që janë përreth meje besojnë se më ‘kanë shpëlarë trurin‘. Tashmë nuk e diskutoj me njerëzit këtë temë. Unë nuk u përzihem atyre në besimin e tyre. Nuk duhet të ketë arsye që edhe ata të përzihen tek unë”, sqaroi ajo.

Hatixheje deklaroi se disa persona me të cilët më parë shkonte në kishë, apo me persona që është shoqëruar në mjediset sociale, kanë ndërprerë kontaktin me të dhe se disa miq në mediat sociale e kanë bërë bllok për shkak të ndryshimit të fesë.

Duke theksuar se ka 6 fëmijë, Hatixheja thotë se pjesëtarët e familjes shpeshherë e kapin duke ndjekur serialet dhe programet turke. Djali i saj më i vogël e ka kuptuar që është bërë muslimane, ndërsa të tjerët pavarësish se dyshojnë në këtë, ende nuk i kanë parashtruar ndonjë pyetje.

“Dëshiroj shumë të vizitoj Turqinë”

Në mundësinë e parë dëshiroj të vizitoj Turqinë, thotë Hatixheja e cila shtoi se vendet që dëshiron të shikojë më shumë janë xhamitë e mëdha, muzetë dhe tyrbet e personaliteteve historike.

“Madje kam menduar të transferohem edhe në Turqi. Nëse koronavirusi i ri (COVID-19) përfundon, kam planifikuar ta vizitoj në qershor. Edhe kjo mundësi më bën të më mbushen sytë me lot. Dëshiroj shumë të shikoj tyrben, vendin ku prehet me të vërtetë Ertuğrul-i”, tha Hatixhe.

Ajo gjithashtu thotë se nuk heziton të shijojë ushqimet turke të cilat i ka provuar t’i bëjë edhe në shtëpi duke parë recetat. Ajo shpjegoi se gjyshërit e saj kanë ardhur në Amerikë nga Norvegjia dhe se pak kohë më parë ka bërë testin e ADN-së dhe shpreson të shohë edhe sadopak shenja turke në prejardhjen e saj.

“Falënderoj Allahun çdo mëngjes kur zgjohem”

Hatixheja thotë se e ka lënë punës para pak kohësh për shkak të problemeve shëndetësore, duke shtuar se pavarësisht problemeve që ka përjetuar, është shumë e qetë në botën e brendshme pasi pranoi islamin dhe se prej disa kohësh nuk ka nevojë për ilaçet që ka përdorur vazhdimisht për shkak të shqetësimit nga ankthi.

“Falënderoj Allahun çdo mëngjes kur zgjohem. Dhe çdo ditë para se të fle e falënderoj që më ka dhuruar edhe në ditë. Njerëzit nuk janë të vetëdijshëm se sa e shkurtër është jeta. Njerëzve dëshiroj t’u jap këtë mesazh: Mos e shpenzoni jetën në rrugë të gabuara ashtu sikurse unë. Kuptimi i jetës nuk është se çfarë veshjesh keni, çfarë makine drejtoni apo se si i bëni thonjtë. Hulumtoni, shikoni më me kujdes. Me kalimin e brezave, besimet dobësohen gjithnjë e më shumë. Në vend të një shoqërie egoiste, përpiquni të jeni një shoqëri ku flitet se si mund bëheni më të dobishëm për të tjerët”, tha 60-vjeçarja Hatixhe.

Kategoritë
BotaLajme