SHBA-ja miraton shitjen e avionëve luftarakë F-16 për Bullgarinë

Marrëveshja përfshin katër avionë F-16 C Block 70, dhe katër avionë F-16 D Block 70, si dhe 11 motorë F100-GE-129D, dhe pajisje, duke përfshirë raketa trajnimi, raketa ajër-ajër dhe helmeta.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ia miratoi Bullgarisë shitjen e mundshme të tetë avionëve luftarakë F-16 dhe pajisjeve të lidhura me to në një marrëveshje që vlerësohet të jetë 1,673 miliardë dollarë.

Sipas një deklarate nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), marrëveshja përfshin katër avionë F-16 C Block 70, dhe katër avionë F-16 D Block 70, si dhe 11 motorë F100-GE-129D, dhe pajisje, duke përfshirë raketa trajnimi, raketa ajër-ajër dhe helmeta.

Kongresi u njoftua për shitjen të hënën, duke filluar një periudhë rishikimi legjislativ.

“Shitja e propozuar do të përmirësojë aftësinë e Bullgarisë për të përballuar kërcënimet aktuale dhe të ardhshme duke i mundësuar Forcave Ajrore Bullgare të vendosë avionë luftarakë modernë në mënyrë rutinore në rajonin e Detit të Zi”, theksoi DSCA në një deklaratë.

“Bullgaria ka treguar një përkushtim për modernizimin e forcave të saj të armatosura dhe nuk do të ketë vështirësi t’i absorbojë këto avionë dhe shërbime në forcat e saj të armatosura”, thuhet më tej.

Lockheed Martin, prodhuesi i F-16, do të jetë kontraktori kryesor në marrëveshje.

Kategoritë
BotaLajme