SHBA-ja regjistron rastin e parë të variantit Omicron të koronavirusit

Pacienti është një udhëtar që është kthyer më 22 nëntor nga Afrika e Jugut dhe ka rezultuar pozitiv më 29 nëntor

Shtetet e Bashkuara të Amerikës identifikuan rastin e parë të variantit të koronavirusit Omicron në shtetin e Kalifornisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Departamentet e shëndetit publik në Kaliforni dhe San Francisko dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) konfirmuan rastin, tha Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive.

Pacienti është një udhëtar që është kthyer më 22 nëntor nga Afrika e Jugut dhe ka rezultuar pozitiv më 29 nëntor.

Individi është në vetëkarantinim dhe të gjitha kontaktet e ngushta janë kontaktuar dhe ata kanë rezultuar negativë, tha Fauci në Shtëpinë e Bardhë.

“Personi ishte plotësisht i vaksinuar dhe përjetoi simptoma të buta të cilat po përmirësohen në këtë fazë”, shtoi ai.

Presidenti Joe Biden tha të hënën se SHBA-ja do të regjistrojë raste të variantit Omicron “herët a vonë”, por kjo nuk është arsye për panik.

Shkencëtarët afrikano-jugorë njoftuan më 24 nëntor se zbuluan variantin Omicron, i cili ka disa mutacione që mund të mbartin rrezikun e riinfeksionit. Rastet e variantit janë gjetur që atëherë në një numër vendesh perëndimore.

Të premten e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli këtë lloj si “variant shqetësues”.

Kategoritë
BotaLajme