SHBA – Joe Biden mbron vendimin e tij dhe fajëson forcat qeveritare afgane për rikthimin e Talebanit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, fajësoi të hënën qeverinë dhe forcat e sigurisë afgane për rikthimin e kontrollit të Talebanit në Afganistan.

Gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden mbrojti fuqishëm vendimin për t’u tërhequr nga Afganistani duke thënë se ai është presidenti amerikan i katërt dëshmitar i luftës afgane dhe nuk do t’ia transferojë atë (luftën) presidentit të ardhshëm të vendit.

Biden argumentoi se ata shkuan në Afganistan për të luftuar terrorizmin pas 11 shtatorit (sulmet terroriste të vitit 2001 kundër SHBA-së) dhe se ata i arritën këto objektiva duke vrarë kreun e Al-Kaedës, Osama bin Laden (në 2011) dhe duke i dhënë goditje të rënda organizatës.

Rrjedhimisht – vijoi ai – nuk kishte kuptim të qëndronim më gjatë në këtë vend.

Joe Biden argumentoi se vendimi për t’u tërhequr nga Afganistani ishte ai i duhuri.

“Objektivi i pranisë sonë në Afganistan nuk ka qenë kurrë ndërtimi i kombit ose ndërtimi i një demokracie të unifikuar dhe të centralizuar. Interesi ynë i vetëm jetik kombëtar në Afganistan vazhdon të jetë sot ai që ka qenë gjithmonë: parandalimi i një sulmi terrorist në tokën amerikane”, theksoi presidenti amerikan.

Ai e pranoi se ngjarjet u zhvilluan më me shpejtësi nga ç’ishte parashikuar, por ia hodhi topin qeverisë dhe forcave të sigurisë afgane për marrjen e vendit nën kontroll nga Talebani duke i fajësuar ato për mungesë të gatishmërinë në luftimin e militantëve.

“Udhëheqësit politikë të Afganistanit dështuan të bëhen tok për popullin e tyre dhe të negociojnë për të ardhmen e vendit të tyre. Ata u dorëzuan dhe ikën nga vendi. Ushtria afgane u rrëzua pa u përpjekur të luftonte. Ngjarjet e javës së kaluar treguan se vendimi i SHBA për t’i dhënë fund pranisë së saj ushtarake në Afganistan ishte i saktë, sepse trupat amerikane nuk mund dhe nuk duhet të bëjnë një luftë e të vdesin në këtë luftë, të cilën forcat afgane nuk janë të gatshme ta bëjnë për veten e tyre”, u shpreh ai.

Mijëra civilë që donin të iknin nga Afganistani të dëshpëruar, u mblodhën në pistën e vetme të aeroportit të Kabulit të hënën pasi Talebani mori kontrollin e kryeqytetit duke bërë që SHBA-ja të pezullonte evakuimet mes kritikave në rritje në vend.

Sipas njoftimeve, pesë persona humbën jetën në aeroport, ndërsa dy persona të armatosur u vranë nga forcat amerikane në Afganistan gjatë 24 orëve të fundit.

“Unë i qëndroj plotësisht vendimit tim”, përsëriti Joe Biden dhe shtoi: “Pas 20 vitesh, kam mësuar nga një përvojë e vështirë se nuk ka pasur kurrë një moment që do të ishte i përshtatshëm për të tërhequr forcat amerikane. Kjo është arsyeja pse ne jemi akoma atje.”

Ai e shoqëroi mbrojtjen e vendimit të tij me një paralajmërim ndaj Talebanit: “Lejoni tërheqjen e SHBA-së të vazhdojë pa pengesa ose do të përballeni me një forcë shkatërruese”.

Procesi i tërheqjes forcave ndërkombëtare nga Afganistani kishte filluar në kuadër të marrëveshjes së paqes, arritur ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Talebanit në shkurt 2020.

Ndërsa marrëveshja përcakton që të mos sulmohen forcat e huaja, Talebani, i cili vazhdon negociatat me qeverinë afgane në Katar, ka marrë nën kontroll njëkohësisht shumë qendra provinciale në Afganistan me sulme të dhunshme që nga qershori.

Talibani rrethoi kryeqytetin Kabul të vendit një ditë më parë e mori atë nën kontrollin e tij të plotë pasi Presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi dhe forcat qeveritare u tërhoqën nga kryeqyteti.

Kategoritë
BotaLajme