SHBA, mbi 35.200 raste të koronavirusit dhe 471 viktima

Më të prekura janë shtetet New York dhe Washington, ku u raportuan rastet e para në SHBA në fund të muajit janar, me 99 dhe 96 raste të vdekjes secila.

Sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti John Hopkins, numri i personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi në SHBA është rritur në 471, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara arriti në 35.224.

Më të prekura janë shtetet New York dhe Washington, ku u raportuan rastet e para në SHBA në fund të muajit janar, me 99 dhe 96 raste të vdekjes secila.

Raste të koronavirusit janë raportuar në 50 shtetet e SHBA-së, si dhe në District Columbia, Portoriko dhe Guam.

Shifrat e Universitetit Johns Hopkins tejkalojnë numrin zyrtar të përpiluar nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), të cilat azhurnohen çdo ditë, por vetëm për rastet e raportuara deri në ora 16:00 të ditës paraprake.

Presidenti amerikan Donald Trump dje njoftoi se ka aktivizuar Gardën Kombëtare për të ndihmuar shtetet New York, California dhe Washington si kundërpërgjigje ndaj pandemisë së koronavirusit të ri.

“Sot, unë po njoftoj veprime për të ndihmuar shtetet New York, California dhe Washington për t’u siguruar që Garda Kombëtare mund t’i përgjigjet në mënyrë efektive kësaj krize”, tha Trump në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti tha se qeveria federale do të financojë 100 për qind të kostos së vendosjes së njësive të Gardës Kombëtare për të kryer misione të aprovuara për të ndaluar virusin.

Trump shpalli emergjencë kombëtare më 13 mars dhe nënshkroi një pako të ndihmës urgjente, të vlerësuar në 105 miliardë dollarë, për të luftuar përhapjen e virusit.

Pjesë e pakos ishte edhe testimi falas për COVID-19 dhe pushim familjar dhe shëndetësor të paguar për shumë shtetas amerikanë.

Koronavirusi i ri, i njohur zyrtarisht si COVID-19, u shfaq për herë të parë në qytetin kinez Wuhan në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa sipas të dhënave të universitetit amerikan Johns Hopkins, ai është shpërndarë në më shumë se 169 shtete dhe rajone.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur sëmundjen pandemi botërore.

Kategoritë
BotaLajme