SHBA, mijëra persona në protesta kundër sulmeve izraelite ndaj Palestinës

Protesta pro-Palestinës në përvjetorin e Nakba-s u mbajtën në kryeqytetin e SHBA-së dhe në Brooklyn të New York-ut.

Mijëra demonstrues në Washington DC dhe New York City u mblodhën të shtunën në solidaritet me Palestinën dhe për të protestuar kundër Izraelit për sulmet në Gaza, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kryeqytetin amerikan, demonstruesit u mblodhën në Monumentin e Washingtonit, duke mbajtur flamuj palestinezë dhe pankarta në mbështetje të Palestinës, duke brohoritur “Liri për Palestinën”.

Turma protestoi ndaj administratës amerikane që ka qëndruar në heshtje ndaj sulmeve izraelite në Palestinë. Më vonë ata marshuan drejt ndërtesës së Kongresit Amerikan ku ndodhen Dhoma e Përfaqësuesve dhe zyrat e Senatit.

Demonstruesit i bënë thirrje administratës Joe Biden të ndalojë mbështetjen ushtarake për Izraelin.

Protesta treorëshe mbeti e qetë dhe përkoi me 73 vjetorin e Nakba-s, ose Katastrofës së Madhe.

Nakba, simboli i dëbimit të detyruar dhe masakrave për miliona palestinezë të cilët kanë jetuar në mërgim për dekada, shpreh një dhimbje të paepur për më shumë se shtatë dekada pasi u dëbuan me forcë nga tokat e tyre.

Pika qendrore e protestave pro-Palestinës ishte në Brooklyn të New York-ut, ku morën pjesë me mijëra njerëz, ku grupet muslimane dhe ato të të drejtave të njeriut qëndruan krah për krah.

Protestuesit marshuan në zonën Bay Ridge, duke mbajtur pankarta me mbishkrimet: “Fund okupimit”, “Fund aparteidit izraelit” dhe “Stop vrasjes”.

Hebrenjtë ortodoksë ishin gjithashtu të pranishëm në tubim.

Sulmet ajrore izraelite në Gaza që nga 10 maji kanë vrarë të paktën 174 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, dhe kanë plagosur më shumë se 1.200.

Sulmet ajrore në Gaza u paraprinë nga tensionet disaditëshe dhe agresioni izraelit në Kudsin Lindor të pushtuar, ku qindra palestinezë u sulmuan nga forcat izraelite dhe kolonët në Xhaminë Al-Aksa dhe në lagjen Sheikh Jarrah.

Tensionet u përhapën nga Kudsi i Lindor i okupuar në Gaza pasi grupet palestineze të rezistencës u zotuan të hakmerren për sulmet izraelite nëse ato nuk ndaleshin.

Kategoritë
BotaLajme