ShBA në ankth, Kryebashkiaku i New York City: Kriza e koronavirusit mund të zgjasë deri në muajin maj

Duke kundërshtuar fjalët e presidentit Donald Trump për zhbllokimin e SHBA-ve deri në festën e Pashkëve të krishtere, kryebashkiaku i New York City, Bill de Blasio, ka deklaruar se ndikimi i pandemisë së koronavirusit në SHBA mund të zgjasë deri në muajin maj.

“Mendojmë se kjo krizë do të rritet nga prilli në maj. Dhe kemi nevojë që presidenti dhe i gjithë Washingtoni ta kuptojnë se kjo është një realitet”, tha de Blasio në një program në ABC TV, transmeton AA.

Duke theksuar se një ventilator do të thotë “dikush jeton ose vdes”, kreu i bashkisë New York City tha se presidenti Trump nuk i shikon faktet e “rritjes astronomike të krizës” kur thotë se New York-ut nuk i duhen 30 mijë ventilatorë.

“Tani mund t’ju them se kemi furnizime të mjaftueshme për të kaluar këtë javë dhe javën tjetër në spitalet tona. Kjo është gjithçka që mund të garantoj”, theksoi de Blasio.

Kryebashkiaku tha se aktualisht në New York City ka rreth 2.500 ventilatorë dhe shtoi se këtij qyteti i nevojiten edhe 15 mijë të tjerë, ndërsa gjithë shtetit i nevojiten 30 mijë.

“Kështu që kemi diçka dhe jam mirënjohës për këtë. Por duhet të vazhdojnë të vijnë”, u shpreh de Blasio.

Ai pretendoi se më shumë se gjysma e njerëzve në New York City “së fundmi do të infektohet” nga sëmundja.

De Blasio theksoi se 80 për qind e njerëzve do ta kapërcejnë brenda shtatë deri në dhjetë ditë me pak ndikim me një lloj të ftohti dhe dinamike të gripit, megjithatë 20 për qind e njerëzve, tha ai, “do ta kalojnë më ashpër dhe me fatalitet”.

Ai po ashtu tha se qëllimi i presidentit Trump për t’i rikthyer gjërat në normalitet deri në festën e Pashkëve është “një shpresë e rreme”, duke shtuar se më mirë do të ishte që presidenti të jetë i hapur me popullin që SHBA ta kuptojë këtë krizë si një “betejë vërtetë të ashpër”.

Sa i përket rasteve të infektuara nga koronavirusi, bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins në Maryland, SHBA është vendi i parë në botë me më shumë raste të raportuara, gjegjësisht me mbi 100 mijë raste. SHBA aktualisht ka 1.535 viktima nga kjo epidemi, ndërkohë që mbi 810 janë shëruar deri më tani.

Kategoritë
BotaLajme