ShBA njofton 100 milionë dollarë ndihmë ushtarake shtesë për Ukrainën

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby vuri në dukje se këto raketa Javelin me vlerë 100 milionë dollarë do të mbulohen nga inventari i ushtrisë amerikane.

“Sot, administrata [e presidentit amerikan Joe] Biden miratoi një ndihmë shtesë sigurie me vlerë deri në 100 milionë dollarë për furnizimin e municioneve blindëshpuese “Javelin“, të ofruara më parë për të përmbushur nevojën urgjente të Ukrainës, municion të cilin ukrainasit e kanë përdorur në mënyrë efektive për të mbrojtur vendin e tyre”,- thotë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes (Pentagonit), John Kirby në një deklaratë të shkruar.

Kirby vuri në dukje se këto raketa ”Javelin” me vlerë 100 milionë dollarë do të dërgohen nga inventari i ushtrisë amerikane.

Me këtë ndihmë, ndihma ushtarake që i është bërë Ukrainës që kur Biden ka marrë detyrën ka tejkaluar shumën 2,4 miliardë dollarë,- e vijon deklaratën e tij zëdhënësi i Pentagonit, ndërsa sjell në kujtesë se ndihma me vlerë 1,7 miliardë dollarë është siguruar pas 24 shkurtit, kur Rusia i hapi luftë Ukrainës.

Ndërkohë, një deklaratë në lidhje me këtë ndihmë ushtarake për Ukrainën ka ardhur edhe nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Bota u trondit dhe u tmerrua nga mizoritë e forcave ruse në Buça dhe në të gjithë Ukrainën. Forcat ukrainase vazhdojnë të mbrojnë me trimëri vendin dhe lirinë e tyre dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) bashkë me aleatët dhe partnerët qëndrojnë të vendosur në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”, tha ai.

Duke deklaruar se, pas direktivës së Bidenit, ai autorizoi furnizimin me municione blindëshpuese me vlerë 100 milionë dollarë për ushtrinë ukrainase, Blinken shtoi: “Kjo paketë ndihme është paketa e gjashtë që është ofruar për ushtrinë ukrainase nga inventari ushtarak amerikan.”

“Më shumë se 30 vende kanë ofruar ndihmë për Ukrainën që nga fillimi i luftës ruso-ukrainase. Me aleatët dhe partnerët tanë, ne do të vazhdojmë të ofrojmë ndihmë sigurie për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës, si dhe ndihmë ekonomike dhe humanitare për njerëzit e shkatërruar nga mizoria e pamëshirshme e Rusisë”,- tha Blinken.

Kategoritë
BotaLajme