ShBA paralajmëron sërish Kinën se do ta paguajë shtrenjtë nëse ndihmon Rusinë

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se ai nuk dëshiron të komentojë qëndrimin e Kinës për luftën Rusi-Ukrainë, por shtoi se ata ia kanë komunikuar në formën më të qartë mesazhin palës kineze në lidhje me këtë çështje.

Në konferencën e tij të përditshme për shtyp, Price tha se gjatë takimit të delegacionit amerikan me diplomatët kinezë në Romë, kryeqyteti i Italisë, ai ishte shumë i shqetësuar për mundësinë që udhëheqja e Pekinit të kompensonte humbjet e shkaktuara nga sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për luftën që Rusia i hapi Ukrainës më 24 shkurt, duke thënë se ai e ka paralajmëruar palën kineze se nëse ndodh një gjë e tillë Kinës do t’i duhet të paguajë një kosto të lartë.

Duke vënë në dukje se shumë vende kanë deklaruar mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe kanë kundërshtuar sulmin e Rusisë, Price tha se ata nuk po e shohin një deklaratë apo qëndrim të qartë nga Kina për këtë çështje.

“Ne ia kemi bërë të qartë Kinës se kemi shqetësime serioze për nismat e Kinës, për të bërë çdo lloj përpjekjeje për të kompensuar humbjet financiare dhe ekonomike të Rusisë ose për të ofruar mbështetje materiale për luftën e Rusisë dhe se në një situatë të tillë, jo vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), por edhe partnerët dhe aleatët tanë do ta detyrojnë Pekinin të paguajë një kosto të rëndë”, shpjegoi zyrtari amerikan.

Kategoritë
BotaLajme