SHBA, tejkalon 700 mijë numri i viktimave nga COVID-19

Në pandeminë e cila vazhdon efektin e saj, kryesisht në shtetet jugore, numri i të prekurve nga virusi arriti në 43.621.268 bashkë me 159.032 rastet që u shënuan në 24 orët e fundit

Ka tejkaluar 700 mijë numri i personave që kanë humbur jetën nga COVID-19 në SHBA, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pavarësisht inkurajimeve intensive nga zyrtarët në vend për të kryer vaksinimin kundër COVID-19 për personat mbi 12-vjeç, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti “Johns Hopkins” me 2.457 vdekje në 24 orët e fundit, numri i viktimave ka arritur në 700.327.

Në pandeminë e cila vazhdon efektin e saj, kryesisht në shtetet jugore, numri i të prekurve nga virusi arriti në 43.621.268 bashkë me 159.032 rastet që u shënuan në 24 orët e fundit.

Me mbi 4 milionë e 729 mijë raste, Kalifornia renditet e para në vend ndërkohë vijojnë Teksasi me mbi 4 milionë e 77 mijë dhe Florida me mbi 3 milionë e 620 mijë.

Po ashtu me 69.225 vdekje, Kalifornia renditet e para në SHBA për sa i përket numrit më të lartë të viktimave nga COVID-19 dhe ndiqet nga Teksasi me 65.529 vdekje dhe New Yorku me 55.416 vdekje.

Sipas të dhënave nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), e cila ndjek statistikat për vaksinimin kundër COVID-19 në SHBA, 77 për qind e popullatës së rritur ka marrë të paktën një dozë të vaksinës ndërsa rreth 66 për qind dozën e dytë.

Në vend, mbi 214 milionë e 597 mijë persona kanë marrë dozën e parë ndërsa mbi 184 milionë 900 mijë të tjerë dozën e dytë.

Kategoritë
BotaLajme