ShBA tërheq nga Izraeli në Gjermani 120 personel ushtarak

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) njoftuan se 120 personel civil dhe ushtarak të vendosur në Izrael i kanë tërhequr dhe dërguar të enjten në Gjermani.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes (Pentagon) John Kirby deklaroi në konferencën e përditshme për shtyp se afërsisht 120 personel të ministrisë shkuan të enjten nga Izraeli në Gjermani.

“Ne morëm vendimin për ta nxjerrë këtë personel prej atje (Izraeli) në koordinim me homologët tanë izraelitë”,- sqaroi zëdhënësi.

Kirby deklaroi se personeli amerikan ndodhej në Izrael për konferencën vjetore të planifikimit të stërvitjes dhe pritet t’i përfundojnë detyrat e tyre deri në fund të kësaj jave.

“Megjithatë, ne e përshpejtuam largimin e këtij personeli”,- shtoi ai.

Duke vënë në dukje se ky personel ka qenë atje për një kohë të shkurtër, Kirby tha: “Siç e thashë, ata ishin atje për konferencën e planifikimit dhe si masë paraprake ne i sollëm ata në mënyrë të sigurt në Gjermani disa ditë më shpejt.”

Kur u pyet se sa ushtarë ka ShBA-ja në Izrael, zëdhënësi i Pentagonit tha se Amerika nuk ka bazë ushtarake atje dhe se ka shumë pak ushtarë.

Kategoritë
BotaLajme